Kosova po synon që ta shenjojë vijën kufitare me Serbinë pa e përmbyllur plotësisht një proces të tillë me fqinjin tjetër, Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.
Marrëveshja e demarkacionit me shtetin malazez u miratua në Kuvendin e Kosovës vetëm pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët mes presidentëve të të dyja shteteve, e cila parasheh formimin e një grupi punues i cili brenda dy vjetësh do t’i korrigjonte lëshimet që janë bërë.
Por, drejt rregullimit të këtyre lëshimeve ende nuk është ndërmarrë asgjë.
Komisioni Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, i cili ka konstatuar se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur gabime gjatë procesit të demarkimit, është i gatshëm që të ulet me palën malazeze dhe të diskutojë për korrigjim.
Kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për Ekonomia Online se janë të gatshëm t’i hyjnë këtij procesi dhe se vetëm po presin që Qeveria ta marrë iniciativën për një gjë të tillë.
“Faktikisht, ne jemi komision shtetëror dhe nuk lidhet me neve se kur do të fillojë procesi, kjo varet ekskluzivisht nga Qeveria e vendit kur ata do të na krijojnë parakushte qe ne të ulemi me palën malazeze dhe t’i trajtojmë të gjitha këto të gjetura”.
“Sigurisht që komisioni ka gatishmërinë, është i gatshëm që në çdo fazë kur mendon Qeveria se është momenti i përshtatshëm për t’u ulur dhe t’i diskutuar krejt këto lëshime dhe vërejtje të cilat i kemi gjetë, gatishmëria e komisionit tonë ekziston”.
Por kjo nuk pritet të ndodhë edhe aq shpejt, pasi që kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur në një nga deklarimet e tij se Qeverisë nuk po i ngutet me korrigjimin e gabimeve të demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se synim i tyre është fillimisht liberalizimi i vizave.
Heqja e vizave për kosovarët nga Bashkimi Evropian, sipas paralajmërimeve të institucionet e Kosovës, mund të ndodhë në fund të këtij viti.