“S’e njoh Kosovën”, nga BE-ja flasin rreth deklaratës së Vuçiqit

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në mënyrë të vazhdueshme është duke deklaruar se nuk do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës derisa të jetë i ulur në karrigen e të parit të shtetit serb.

Lidhur me këto deklarime të Vuçiq, Express ka kërkuar një përgjigje nga Brukseli në pyetjet se “Cila është arsyeja e dialogut të Brukselit, nëse ky është qëndrimi zyrtar i Serbisë?” dhe “Nëse s’do të ketë njohje, cili është qëllimi final i BE’së për dialogun?”.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka thënë se nuk është roli i Bashkimit Evropian që të komentojë secilën deklaratë të bërë nga politikanë apo zyrtarë apo të interpretojë deklarime të bëra në media.

“Ne jemi duke u fokusuar në punë konkrete për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura”, ka thënë Stano për Express.

Ai tutje ka thënë se rruga drejt BE-së për Prishtinën dhe Beogradin kalon përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në fund Stano ka thënë se Lajçak është duke vazhduar kontaktet me partnerët në rajon, në BE dhe në botë për procesin e negociatave.

“Dialogu është duke vazhduar. Përfaqësuesi Special po vazhdon angazhimet e tij me partnerët në rajon, BE dhe ata ndërkombëtarë”, ka përfunduar Peter Stano.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “Vercenje Novosti” ka thënë sërish se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por ka potencuar se këtë garanci e jep deri në zgjedhjet e vitit 2022, të cilat i ka paralajmëruar që në ditën kur fitoi mandatin e ri, gjatë qershorit 2020.

Koha e vazhdimit të dialogut të Brukselit do të dihet qartë vetëm pas vendosjes së institucioneve të reja në Republikën e Kosovës që pritet të dalin pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme