Zyrtarët afganë kanë njoftuar se së paku 13 persona janë vrarë gjatë një sulmi të talibanëve në një stacion policor në qytetin verior të Pul-e-Khumrit.
Ministria e Brendshme tha se sulmi i 5 majit filloi kur një veturë e mbushur me mjete plasëse shpërtheu në hyrje të kompleksit policor dhe tetë sulmues të armatosur hynë dhe filluan të qëllojnë me armë.
Kjo ministri njoftoi se 13 policë u vranë dhe 55 persona tjerë, përfshirë 20 civilë, u plagosën. Policia i vrau të gjithë sulmuesit gjatë luftimeve që zgjatën një orë.
Përgjegjësinë për këtë sulm e morën talibanët. Ai ndodhi vetëm dy ditë pasi Këshilli i Lartë u mblodh nga presidenti Ashraf Ghani, i cili doli me kërkesën për t’i dhënë fund dhunës dhe për arritje të një armëpushimi.
Në mbledhjen e këtij këshilli morën pjesë më shumë se 3200 politikanë, udhëheqës fisnorë, figura të larta dhe persona tjerë me qëllim që të hartohet një strategji për negociatat e ardhshme me talibanët.
Megjithatë, përmes një deklarate të publikuar të premten, talibanët e refuzuan mundësinë e arritjes së armëpushimit, duke thënë se sulmet do të vazhdojnë edhe gjatë Ramazanit.
Ky grup militant, i cili ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët amerikanë, i ka refuzuar propozimet për armëpushim pasi ka kërkuar që fillimisht trupat e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të largohen nga Afganistani, shkruan “Free Europe”.