Të paktën 15 njerëz janë vrarë dhe katër të tjerë janë lënduar në dy sulme që dyshohet se u kryen nga rebelët myslimanë në jug të Tajlandës. Lajmin e bëri të ditur një zyrtar ushtarak, ndërsa ky është një ndër sulmet më të përgjakshme që kanë ndodhur në vendin aziatik viteve të fundit.
Pjesa jugore e Tajlandës, e banuar me shumicë myslimane, është përfshirë nga përleshje të përgjakshme në dy dekadat e fundit. Më shumë se shtatë mijë njerëz janë vrarë në 15 vjetët e fundit në këtë rajon problematik.
Militantët i sulmuan dy pika kontrolli, në të cilat ndodheshin disa vullnetarë të mbrojtjes civile. “Dymbëdhjetë njerëz u vranë në vendin e ngjarjes, dy të tjerë vdiqën në spital dhe një ndërroi jetë sot në mëngjes”, tha Pramote Promin, zëdhënës i ushtrisë, duke shtuar se sulmuesit i kanë rrëmbyer disa armë nga pikat e kontrollit.
Rebelët që po kërkojnë autonomi për rajonin me kulturë tjetër e kanë luftuar për një kohë të gjatë shtetin e udhëhequr nga shumica budiste, e cila e kishte kolonizuar këtë pjesë para më shumë se një shekulli.
Konflikti i gjatë mes dy palëve karakterizohet me sulme hakmarrëse që zakonisht i kanë cak simbolet e shtetit tajlandez dhe forcat e sigurisë, por edhe civilët e komuniteteve myslimane dhe budiste shpesh pësojnë nga sulmet.
Rebelët e akuzojnë qeverinë tajlandeze se po e detyron komunitetin e tyre që ta ndërrojë kulturën dhe po kryen abuzime të vazhdueshme, të cilat nuk dënohen nga organet e drejtësisë, shkruan “The Guardian”.