Së paku 46 të vdekur nga shpërthimi i cisternës bombë në Siri, përfshirë 6 fëmijë

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Një kamion cisternë, i cili besohet të ketë qenë i pajisur me bombë, ka shpërthyer në një treg të Sirisë veriore, duke lënë të vdekur së paku 46 persona. Në mesin e viktimave kishte edhe luftëtarë rebelë që përkrahen nga Turqia.

Shpërthimi i së martës në Afrin, qytet që kontrollohet nga grupet e lidhura me Turqinë, ndodhi në kohën kur njerëzit kishin dalë për të blerë ushqim për kohën e iftarit, sipas Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, i cili e dënoi ashpër sulmin.

Rami Abdul Rahman, drejtor i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut,  tha se në nga ky shpërthim janë vrarë së paku 46 persona, ndërsa 50 janë plagosur, duke shtuar se në mesin e viktimave ishin së paku gjashtë luftëtarë rebelë dhe gjashtë fëmijë.

Ende nuk dihet se kush qëndron prapa këtij sulmi të tmerrshëm, por Ministria e Mbrojtjes e Turqisë i fajësoi Njësitet Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), grup që Turqia e cilëson si të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Në janar, së paku shtatë persona u vranë nga shpërthimi i një veture bombë në Azaz, një tjetër qytet që kontrollohet nga forcat pro-turke, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Që nga viti 2011, mbi 380 mijë njerëz janë vrarë gjatë luftës civile në Siri dhe mbi gjysma e popullsisë së saj është shpërngulur.

Të ngjashme