Microsofti ka paralajmëruar disa funksione të reja të cilat vijnë në Windows Subsystem për Linux (WSL) në versionin 1903, dhe në të njëjtën kohë ka azhurnuar edhe changelogun për build 18836 me ndryshime. Funksionet e reja së shpejti do të jenë edhe pjesë e Windows 10 Insider Previewit të ardhshëm nga dega e ardhshme 19H1.
Përdoruesit tani do të mund t’i përdorin fajllat e tyre Linux nga vetë Windowsi. Nga Linux distro, duhet vetëm ta shkruani explorer.exe dhe do të shfaqet dritarja File Explorer brenda distros. Përdoruesit do të duhej të jenë në gjendje të bëjnë çfarëdo që normalisht do të bënin në File Explorer.
Kjo mund të bëhet edhe nga linja e komandës, dhe nevojitet vetëm të gjendet shtegu për fajllin distro (\wsl$\emri_i_distros) dhe mundësohet qasja përmes PowerShellit dhe veglave të tjera të linjës komanduese.
Microsofti i ka bërë edhe disa përmirësime në vetë linjën e komandimit, duke e mundësuar inicimin e komandës si shfrytëzues tjetër apo i dytë, mbylljen e distribuimeve të startuara, si dhe importimin dhe eksportimin e distrove të ndryshme.