Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar propozimin e Qeverisë së Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme është caktuar për të enjten, në orën 11.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë, janë shprehur në favor të ratifikimit të marrëveshjes.
Por, partnerja në koalicion qeverisës Lista Serbe, ende nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Zyrtarët e këtij subjekti politik nuk kanë dashur të flasin për atë se cili është qëndrimin eventual i deputetëve të Listës Serbe karshi Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Në anën tjetër, partitë opozitare janë të ndara, kundër dhe në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, ka thënë se deputetët e saj do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, për shkak se Marrëveshja për demarkacionin ka mbetur e njëjta që ka qenë, pavarësisht bashkëngjitjes së marrëveshjes së nënshkruar tash së voni, ndërmjet dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviq.
“Mali i Zi ka obligim -në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në raport me një shtet tjetër, në këtë rast me shtetin e Kosovës – vetëm aq sa përmban teksti i Marrëveshjes së miratuar tashmë në Parlamentin e Malit të Zi. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje, në asnjë mënyrë nuk do ta përkrahë një mashtrim të tillë. Lëvizja Vetëvendosje, kudo që është mundësia, do të shohë dhe t’i përdorë metodat, prej votimit kundër e deri te pamundësimi i kuorumit, duke filluar edhe me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës”.
Në dy takime të ndara të disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës me ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka konfirmuar votën unanime të këtij grupi në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin.
Për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të deputetëve të Kuvendit, pra, 80 nga 120 sosh.