Seanca rrëfyese e Kurtit që “trazoi” dje Kuvendin, deklaratat e kryeministrit dhe reagimet e ashpra të opozitës

Prishtinë | 24 Mar 2023 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje në Kuvendin e Kosovës u rrëfye për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e fundit të arritur në Ohër.

Kurti fjalën e tij para deputetëve e nisi me dialogun, duke thënë se “tuneli i këtij procesi është i gjatë, por po i vie fundi”, e se ia ka vlejtur mundimi, pasi tani është arritur diçka e rëndësishme dhe e pakthyeshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kreu i Qeverisë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës tha se aleatët ndërkombëtare kanë vendosur kornizë me kushte strikte, si për Kosovën, po ashtu edhe për Serbinë, që Ballkani Perëndimet të ketë siguri kolektive dhe paqe të qëndrueshme.

Por, kryeministri i vendit u shpreh se nuk shpresë se Serbia do jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ani pse këta të fundit siç thotë ai po mundohen ta sjellin aty.

Kurti gjithashtu pranoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ekziston në marrëveshjen e dakorduar më 18 mars.

Kryeministrit tha se aleatët ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë se detyrimet ndërkombëtare që janë arritur në emër të shtetit tonë nuk ndryshojnë, edhe kur qeveritë ndryshojnë.

“Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si i tillë nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne i kemi. Ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta trajtojmë nga çështja e Kushtetutës sonë. Çdo gjë që ne bëjmë në këtë drejtim është standard tashmë i pranuar nga çdo demokraci evropiane”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit lidhur me dokumentin që ka në tavolinë nga BE, tha se duhet ta shfrytëzojnë mirë, ndërsa bëri dhe një rimë.

“Tani kemi një dokument të ri në dorë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë. Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur. Me këtë dokument mund të ecim”.

Por me reagime të ashpra u përball me opozitën, të cilët e akuzuan për degradim të procesit të dialogut.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Kurti ka nënshkruar gjithçka që kishte thënë se s’do e pranonte, në vilën e Titos.

Ai para deputetëve u shpreh se kryeministri i vendit ka tradhtuar edhe votuesit e tij, të cilëve dikur iu thoshte që s’ka Asociacion.

“Kapërcimin më të madh në politikë e ka bërë Kurti, kur ka kalu nga nga “jo negociata vetëvendosje, në po negociata, po vetëvendosje por për serbët”. Ka bërë tradhti ndaj votuesve të vet, se ju ka premtu që s’ka me pas Asociacion, Zajednicë, ka rreziku me i dhënë autonomi politike serbëve të Kosovës”, tha Krasniqi në Kuvend.

Replikë ndaj Kurtit pati edhe nga Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai tha se Marrëveshja e Ohrit është humbje e madhe dhe devijim nga qëllimi primar për njohje reciproke.

Abdixhiku referuar çështjes së Asociacionit, për të cilin Kurti e pranoi se qëndron brenda marrëveshjes, tha se ndjen keqardhje për fatin tragjik politik të Kurtit dhe humbjen që mori Republika e Kosovës.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke, ishte ndër kushtet e Kurtit. Nuk kanë kaluar as dy muaj dhe aneks marrëveshja parasheh qartë nisjen e diskutimeve për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Po flas për 6 kushtet që u thanë vetëm dy muaj më parë. Për këto qëndrime dhe pozicionin ndryshues të Kurtit ndjej vetëm keqardhje. Çfarë fati tragjik politik. Ndjej keqardhjeje për humbjen e Kosovës së Republikës së Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.

Pas replikave të dy krerëve opozitarë, Kryeministri Kurti iu drejtua duke ju thënë se po flasin si anëtarë të dorëhequr të VV-së.

Por, një gjë e tillë nuk u pëlqeu Krasniqit dhe Abdixhikut të cilën dhe reaguan. Kryetari i PDK-së i tha Kurtit se ai është kryeministër, e jo një ‘hajgarexhi’, ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i tha kryeministrit se “unë nuk kam barrën që kanë vdekë njerëz për kauzën time politike”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Mos mendo qe me qet prej taktit me ofendime, gabohesh shumë. Unë kur shikoj veten në pasqyre, nuk kam barrën që kanë vdekë njerëz për kauzën time politike. Nuk kam barrën që kam djegë një shtet për një kauzë që e kam shkelë… unë jam shumë i qetë për këtë. Po e shijoj çdo sekond të kësaj procedure”, tha Abdixhiku.

Por, teksa po i jepej fjala Lumir Abdixhikut, në një moment u dëgjua deputeti i LDK-së, Kujtim Shala duke share rëndë Kryeministrin Kurti, gjë e cila fillimisht nuk u vu re as nga vetë Konjufca, por që pas pauzës, dhe rikthimit në Kuvend ai dha vërejtje deputetit të LDK-së.

Por, Shala me ironi i tha se do ja dërgoj kërkim faljen me postë.

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Kurti mori sërish fjalën ku mes replikash me Enver Hoxhajn e PDK-së, ai tha se këshilltari special i Blinkem, Chollet e ka telefonuar për ta falënderuar për Marrëveshjen e Ohrit.

”Kisha një telefonatë me Chollet, i cili më uroi për marrëveshjen e arritur në Ohër duke pranuar bisedimet e gjata dhe të vështira. E falënderova për mbështetjen dhe rolin e SHBA-së. Marrëveshja bazë dhe aneksi, sipas tekstit dhe frymës, tani duhet të ndryshojnë realitetin dhe kushtet”, ka shkruar Kurti, ndërsa u largua nga seanca.

Të ngjashme