Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me kërkesën e 42 deputetëve për debat parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se seanca do të mbahet në orën 16:00. Ai tha se beson se në këtë seancë do të ketë vendimmarrje.
“Do kemi një seancë të jashtëzakonshme. Dy grupe parlamentare kanë pru edhe 42 kërkesa. Seanca do jetë në orën 16. Kuvendi po punon. Ky është lajm pozitiv, besoj se do ketë vendimmarrje”, tha ai.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar sot gjatë ditës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.
Dy grupet parlamentare nga radhët e opozitës konsiderojnë se këto dështime kanë krijuar mungesë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe kanë lëkundur besimin e partnerëve tanë ndërkombëtar në Kosovë.