Ministri i Punëve të Brendshme (MBP), Flamur Sefaj, ka raportuar në komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës rreth zhvillimeve në Inspektoratin Policor, pa praninë e medieve.
Ministri Sefaj ka kërkuar që raportimi para komisionit për Inspektoratin e Punës të zhvillohet pa praninë e medieve, në çështjet që konsiderohen si pjesë të hetimeve raporton Ekonomia Online.
Ndërsa Muharrem Nitaj, nga AAK, tha se vetëm një pjesë të jetë e mbyllur për media ndërsa pjesa tjetër jo.
“Unë besoj që çështja që raportoj ministri në këtë mbledhje mund të ketë dy pjesë, një pjesë e cila është e preferueshme të zhvillohet pa media se shumë çështje janë duke u zhvilluar në hetim dhe një pjesë ku nuk cenohen hetimet ministri do duhej ta shfrytëzonte rastin që mediet janë këtu”.
Edhe Rexhep Selimi, nga VV, u pajtua me propozimin e Nitajt.
Por ministri Sefaj, tha se kjo temë është delikte dhe duhet që të ndahet në dy pjesë.
“Është temë vështirë me nda në dy pjesë sepse lidhet në çdo moment, të flasim edhe për gjërat që dihen, dhe ato që mund të konsiderohen interferime që janë procese në vazhdim, por duhet ta bëjmë një far demarkacioni në mes të dy temave”.
Zoran Moslijovic, nga Lista Serbe, tha se ky takim të bëhet me dyer të mbyllura.
“Unë mendoj se duhet ta bëjmë me dyer të mbyllura pa opinion”.
Rexhep Selimi, prapë propozoi që pjesa e parë të jetë e hapur për media.
“Pjesa që është publike të mbahet publike, ndërsa ato që janë në hetime të jetë e mbyllur. Ju kemi borxh publikut përmes medieve sepse është temë publike puna në inspektorat”.
Nitaj, ka insistuar pse pjesa e parë të mos jetë e hapur për medie, raporton EO.
“Është e pakuptueshme që kjo të jetë e mbyllur, z.ministër është mirë që opinionit publik t’i thoni sa persona janë përfshirë, natyra e tyre, mos përmendi emra. Kur vihet në fazën e përmendjes së emrave mediet kanë mirëkuptim”.
Milaim Zeka, nga Nisma, ka mbështetur propozimin e ministrit me arsyetimin se edhe në shtete perëndimore raportimet që konsiderohen të ndishme mbahen me dyer të mbyllura.
“E mbështes ministrin për kërkesën, edhe jashtë në Zvicër mbahen me dyer të mbyllura, ky nuk është komision i MIE ku mund të bëhen shoh televizive, dhe jo në këtë komision sepse preken çështje të ndishme, nëse ministri dëshiron t’i jap shpjegime publikut atëherë mban konferencë për media”.
Ministri Sefaj tha se të lejohen mediat apo jo mos të përcjellin raportimin mos të bëhet çështja kryesore kjo.
“Mos të bëhet kjo temë, por çështja është delikate dhe ka procedura në vijim dhe nuk mund të dalin në opinion në këtë moment, varet edhe nga pyetjet e juaja nuk është problem, mendoj që për të pas një punë të mirëfilltë këtu është mirë me qenë e mbyllur sepse nuk devijohet procesi i punës nga ideja që jemi të servuar nga mediet. Kam kërkuar që të jetë e mbyllur mund ta vendosni ju në mënyrë demokratike”.