Marrëdhëniet ShBA-Kosovë ditëve të fundit janë lëkundur për shkak të taksës së vendosur nga Qeveria për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Këmbëngulësia për të mos hequr taksën ka acaruar marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së.
ShBA po kërkon nga institucionet e vendit që taksa të hiqet ndërkaq shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj, në çdo paraqitje të tij ka potencuar që taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Deputeti i grupit parlamentar të LDK-së, Korab Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online, këtë acarim të marrëdhënieve e ka quajtur keqmenaxhim nga qeveria aktuale.
“Marrëdhënia me ShBA-në si sponsor i shtetësisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës është e shenjtë dhe duhet të bëjmë çmos që të ruajmë dhe të kultivojmë sa më shumë që mundemi këtë relacion me ShBA-në. Natyrisht ne si shtet jemi duke e përjetuar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria aktuale cila po kërcen prej skandalit në skandal dhe në fakt po mundohet që me disa veprime të caktuara me i mbuluar të gjitha të këqijat që është duke ja shkaktuar këtij vendi”, tha ai.
Sipas tij, Kosova po udhëhiqet nga një kryeministër që refuzon të shkoj në dialog dhe nga një president i cili pa kompetencë kushtetuese cenon integritetin territorial të vendit.
“Fakti që kemi një institucion kushtetues që është kryeministri që refuzon me shkuar në dialog, ai tjetri që s’ka kompetencë kushtetuese që shkon edhe ndërmerr veprime të cilat i cenojnë edhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtetësinë e Kosovës. Të gjitha këto janë pasojë e një keqqeverisje që jemi tu e përjetuar nën partitë që aktualisht janë pjesë e koalicionit qeveritar dhe shpresoj që kjo gjendje të mos zgjat edhe shumë ditë që të kemi mundësi që të kemi ditë më të mira për këtë vend”, tha ai.
Sejdiu ka folur edhe për punën e Kuvendit ku ka thënë se zvarritja e shqyrtimit dhe votimit të projektligjeve po bëhet me qëllim që të zbeh rolin e Kuvendit si institucioni më i lart në vend.
“Po besoj që është evidente edhe për publikun që ka një keqmenaxhim të punës së Kuvendit që vjen kryesisht nga kryetari dhe kryesia. Natyrisht dihet se shumicën në kryesi e kanë partitë të cilat i përkasin pozitës dhe kjo po bëhet qëllimshëm që të zbehet roli i Kuvendit si institucioni më i lart i vendit, por sidoqoftë unë besoj që Kuvendi përkundër të gjitha këtyre vështirësive ka bërë një punë të mirë në procedimin e ligjeve dhe duhet të kemi parasysh se Kuvendi nuk mund të shikohet si një motor votimesh”, tha ai për EO.
Ai ka thënë se vonimi i projektligjeve bëhet edhe për shkak se nga Qeveria vijnë projektligje të cilat nuk janë mirë të përpunuara dhe si të tilla duhet të hartohen përsëri.
“Në fakt në Komisionin për Legjislacion kemi një numër shumë të madh të projektligjeve të cilat i kemi proceduar dhe përpunuar. Në shumicën e rasteve kanë qenë projektligje që kanë ardhur në një formë jashtëzakonisht të dobët të hartuar që është dashur të rishkruhen dhe kjo merr kohë. Nuk është qëllimi i Kuvendit që ligjet që vijnë prej Kuvendit vetëm me i votuar, por është në fakt edhe me i shikuar edhe me u siguru që janë në formatin më të mirë të mundshëm që me mund me u zbatu edhe me qenë sa më të qarta për qytetarët. Sa i përket punës së Kuvendit, mendoj që gjithmonë mundemi më mirë përfshirë edhe projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën evropiane. Një numër i madh i këtyre ligjeve kanë kaluar dhe janë proceduar, por mbetet sfidë që të vazhdojmë punën me intensitet sa më të lartë që të kemi mundësi”, ka potencuar Sejdiu.