Opinionisti, Dardan Sejdiu, vlerëson se kandidatët për kryetarë të komunave kanë nisur të angazhohet për garën e balotazhit.
Sejdiu në Rubikon deklaroi se në dhjetë ditët e fundit gara për balotazh bëhet më e ashpër, njofton Klankosova.tv.
“Dje dhe pardje kemi filluar të shohim më shumë aktivitet dhe normalisht java e fundit do të jetë java vendimtare sa i përket angazhimit serioz dhe kthimit të ndonjë vote që është në hamendje. Ajo që po shoh është më pak energji sesa në raundin e parë, mbase për faktin që ka më pak kandidatë ose për faktin se vendet për asamble janë siguruar dhe mbase për faktin se balotazhi pritet zakonisht që në 10 ditët e fundit të jetë më i ashpër, aktiv dhe me më shumë përmbajtje”.
“Gjatë fushatës për balotazhin zakonisht riciklohet përmbajtja mbase me mesazhe pak më të fokusuar dhe në këtë drejtim mendoj që kandidatët do të bëjnë mirë që nuk përsëriten shumë për 30 ditë meqë nuk ka shumë tema që do të mund të nxjerrin gjëra të reja në raundin e dytë”.
Sejdiu tutje tha se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale duhet të jetë qartësim i programeve mes dy kandidatëve që janë në garë.
“Raundi i dytë duhet të jetë qartësim i programeve mes dy kandidatëve që janë në garë. Armatimin kryesor do ta lënë në javën e fundit dhe për faktin që tani bëjnë matje. Jam i bindur që secili kandidatë i secilit subjekt që është në balotazh tani e bënë atë pjesën klasike të matjeve kualitative dhe kuantitative”, tha Sejdiu.
Mes tjerash Sejdiu vlerëson se në balotazh do të fitojnë të gjithë kandidatët që kanë mbi 40 përqind të raundin e parë.