Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, në tubimin në Rahovec kujtoi se po ndihet e njëjta energji dhe frymë si në fushatën për zgjedhjet në Prishtinë.
Sejdiu ripërsëriti shembujt nga qeverisja e VV-së në Prishtinë, e cila sipas tij, ka ngritur dhe përmirësuar shumë shërbime sociale si: pajisjen e shkollave me laboratorë shkencorë, kontrollet sistematike shëndetësore, shtrimin e mbi 300 km rrugë, dyfishimin e numrit të çerdheve, etj.
Ai u zotua se i njëjti drejtim dhe e njëjta qasje sociale, e drejtë dhe e pakompromis do të ndiqet edhe në qeverisjen e Republikës.
Sejdiu sulmoi ashpër edhe shpërndarjen e shujtave për fëmijët gjatë këtyre ditëve nga komuna e Ferizajt duke thënë, “Populli nuk është vetëm një ditë popull, por është çdo ditë, dhe një qeveri e cila vetëm në fushatë komunikon dhe vepron me qytetarin është një qeveri që duhet shporrur.” Për të, dhe me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, qeveria i shërben qytetarëve përditë, “ku shujtat nuk janë vetëm për publicitet, por si në Prishtinë shpërndahen çdo ditë tash tre vite për secilin nxënës.”
Në mbyllje, kandidati për deputet ritheksoi fort ndryshimin mes programit social-demokrat të Lëvizjes nga modeli ekonomik i ndjekur në Kosovën e pasluftës. Sipas tij deri më sot kemi pasur, “ekonomi që nuk punëson, shëndetësi që nuk shëron, e gjykata që nuk vendosin drejtësi”.
“Në përballje me këtë gjendje të rëndë, qeverisja e VV-së ka guximin, vullnetin e dijen për ta transformuar Republikën, për ta çliruar vendin dhe për të sjellë zhvillim për të gjithë, ekonomia në duart e VV do të jetë ekonomi që punëson, ndërton dhe sjell barazi. Të papunësuarin e punëson, të punësuarin e mbron”, përfundoi Sejdiu.