Pezullimi i Ligjit për Paga nga Gjykata Kushtetuese zhgënjeu mijëra punëtorë shëndetësorë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiu, thotë për Ekonomia Online se Ligji i ri për Paga u konsiderua një ligj që ngrit dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë, andaj moszbatimi i tij do të ketë pasoja negative.
Megjithatë thotë se vetëm ngritja e pagave do të ndalte migrimin e tyre. Ai thotë se pezullimi i këtij Ligji ka ardhur në kohën kur shumë mjekë dhe infermierë janë duke u përgatitur për të lëshuar vendin, andaj shpreson se në fund do të ketë një vendim pozitiv nga Kushtetuesja.
“Pagat tek shërbyesit shëndetësorë duhet të jenë motivuese dhe të dinjitetshme për shumë arsye. Një mjek ose infermier i cili punon ka merituar paga më të dinjitetshme dhe kjo ka qenë gëzimi më i madh i yni që ligji për paga që të ketë një ngritje tek mjekët dhe infermierët dhe mendoj që ka qenë në kohën e qëlluar dhe sa më herët që fillohet të zbatohet ky ligj i pagave me një rrogë të dinjitetshëm, përveç që e përmirëson cilësinë e shërbimeve, në anën tjetër është një periudhë që parandalon migrimin e stafit shëndetësorë sepse është një problem aktual në gjithë botën”.
“Pra ky ligj do ta ndal stafin i cili është mesë i domosdoshëm, ku veçse e kemi parë në këtë kohë të pandemisë se çfarë do të thotë shëndetësia me qenë e zhvilluar”, tha Sejdiu.
Madje thotë se për të parandaluar ikjen e mjekëve po mundohen të punësojnë mjekë specializantë. Thotë se aktualisht në Kosovë janë 90 mjekë specializantë, të cilët thotë se mund t’iu gjendet zgjidhje.
“Janë rreth 90 mjekë specialistë dhe vitin e kaluar kemi hapur një konkurs për ët gjithë mjekët specialistë të papunë. Fatkeqësisht aty kemi parë një ngecje sa i përket konkurrimit nëpër spitale, ka qenë vullnet i shumicës që të konkurrojnë në QKUK, që është e pamundur të gjithë të pranohen, por iu kemi mundësuar që secilit qytet nevojat që ata i kanë”.
“Këtë vit ka qenë edhe kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar listën e tyre të papunë dhe mendoj se hapja sa më shpejtë e konkursit për t’i pranuar mjekët specialistë është një politikë e mirë, por edhe për infermierët të cilët ka shumë që kanë dalë, kemi një numër që kanë disa sëmundje kronike dhe nuk mund të kujdestarojnë, por nevojë shumë e madhe është për infermierë dhe sa më herët aq më mirë”, tha Sejdiu.
Sejdiu ka folur edhe për furnizimet me barna, teksa ka thënë se në këtë kohë kanë qenë të funksionuar me një plan strategjik.
Por në të ardhmen, Sejdiu e sheh si problem furnizimin me barna, për shkak të ngritjes së çmimeve në botë, raporton EO.
“Mund të them shumë mirë. Furnizimi në të cilën ne e kemi bërë si një plan strategjik që e kemi planifikuar sepse do të na nevojitej, maska, doreza e shumë tjerë, andaj janë bërë porositë, në vend se porositë e tre mujorit, janë bërë porositë e nëntë mujorit, pra janë planifikuar për nëntë muaj dhe krejt kjo porosi është bërë plan që të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale sepse në modelet e vende që na rrethojnë kemi parë që shpesh edhe qeset e najlonit janë përdorur si mburojë të stafit mjekësorë dhe këtu kemi qenë mirë, pra këto porosi i kemi bërë”, tha ai.
“Furnizimi me barna është mirë, tani ndoshta do të kemi pak problem në këtë periudhën që po shohim se shumë operatorë i ndërprenë kontratat për arsye se nuk kanë mundësi t’i bëjnë furnizimin me ato çmime, për shkak të ngritjes së çmimeve në regjion e më larg”, tha Sejdiu.