Korab Sejdiu, deputeti nga radhët e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është shpreh i bindur se korrupsioni nuk mund të luftohet përderisa shteti udhëhiqet nga njerëz të korruptuar.
Të korruptuarit nuk do ta luftojnë vetveten, thotë ai, duke shtuar se ata që kanë kryer këtë vepër penale duhet të gjenden prapa grilave, raporton Ekonomia Online.
“Nuk mund të ketë seriozisht luftim të korrupsionit kur njerëzit e korruptuar i kemi në postet kyçe të shtetit edhe ata janë burimi i korrupsionit”.
“…të korruptuarit nuk e luftojnë vetveten, por herë do kurdo ato do të gjenden prapa grilave”, tha Sejdiu për EO.
Përderisa luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar mbetet kusht për lëvizjen e lirë në zonën Schengen, institucionet e vendit tash e tri vjet nuk po mund që të miratojnë marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
Sipas Sejdiut, përveç mungesës së konsensusit politik, në Kosovë është problem edhe mbarëvajtja e proceseve. Ai thotë se proceset e tilla po i vendosin në pozitë të pa përshtatshme edhe deputetët.
“Është një fatkeqësi e madhe që tek ne gjërat bëhen mbrapsht dhe proceset bëhen në mënyrë të mbrapsht dhe kur vjen puna për ratifikim të këtyre marrëveshjeve në Kuvend deputetët qiten para një situate shumë të vështirë ku ata vet duhet t`i vlerësojnë disa gjëra të cilat nuk janë ekspert”.
Sa i përket ratifikimit të demarkacionit, Sejdiu tha se përkundër faktit që kjo çështje është juridikisht e turbullt prapë se prapë duhet të ketë një konsensus politik.
“Në aspektin juridik kjo çështje është bërë një e turbullt jashtëzakonisht shumë dhe mendoj si çështje e interesit vital jo vetëm unë por të gjithë deputetët duhet me pas konsensus të plotë për të vazhduar njërën drejtim ose tjetrin”, deklaroi Sejdiu për EO.