Sejdiu: Qeveria nuk është korruptive, por e paaftë

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 23:09 | Nga Ekonomia Online

Opinionisti politik Dardan Sejdiu vlerëson se viti që po e lëmë pas është njëri prej viteve më të vështira, derisa foli për vitin qeverisës të Albin Kurtit.

“Është një prej viteve të vështira, është vit post-pandemik me mbyllje të mëdha, është një vit në të cilin ndodh një hapje graduale, është vit në të cilin unë personalisht kam pritur që të jetë vit me ambicie të mëdha e me agresivitet më të madh sa i përket pjesës së qeverisë dhe qeverisjes, së paku entuziazmin e njëjtë që e kemi parë prej diasporës, që të shpenzojë në Kosovë, ta ketë edhe qeveria, të rikthejë besim në ekonomi dhe në potencial. Por, në anën tjetër, e kemi një rivendosje të një elementi në qeverisje, e cila do të duhet të ishte domosdoshmëri në çdo qeverisje, e që është një tolerancë zero kundrejt çfarëdo afere korruptive dhe vendosje e një kulture, si me thënë, e cila korrupsionin e shpërfaq dhe e bën problematik në qeverisje.”

Sejdiu, në “Rubikon”, vlerëson se Qeveria Kurti për dhjetë muaj ka treguar se nuk kanë afera korruptive dhe duan të kursejnë paranë publike, njofton Klankosova.tv.

“Deklarativisht dhe deri tash, çfarë kemi parë për dhjetë muaj, nuk kemi parë asnjë lloj afere korruptive dhe kemi parë një insistim të madh dhe kursim të parasë publike që sa i përket vendosjes së një mendësie të qeverisë, ky është lajm i mirë për Kosovën”.

“Pra kemi pasur zgjedhje të mira edhe lokale edhe nacionale pa asnjë problem, tani e kemi një qeveri e cila ka pushtet total dhe me pushtet total po duket se nuk po do të abuzojë me të për përfitimin financiar dhe ekonomik për individin, ministrin apo pushtetarin. Ky është një lajm i mirë, pasi krijon një pikë krahasimore për këdo që vjen më vonë, nëse mirëmbahet kjo, po supozojmë që mirëmbahet.”

Por, Sejdiu ka edhe kritika për qeverisjen, teksa vlerëson se kriza energjetike na tregon se qeveria profesionalisht është e papërvojë.

“Por, unë i kam edhe tri gjera të tjera që janë me rëndësi, kur qeveris janë tri gjëra të rëndësishme, çfarë pritje ndërton, për çfarë kohe i ke ndërtuar këto pritje dhe çfarë relacionesh ke ndërtuar për t’i realizuar këto pritje me kohën, të cilën e ke në dispozicion. Këtu çalon Qeveria Kurti shumë, meqë pritjet i ka tepër të mëdha, ka shpenzuar 25% të kohës dhe relacionet që i ka me të tjerët janë skandaloze, mos me thënë katastrofale, sepse gjithmonë është në pozicion akuzues kryeministri dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e relacioneve për një demokraci, e cila ecë të themi në një frymë të deleberimit, kompromisit, diskutimit, pra këtë unë besoj që e ka shumë gabim Qeveria Kurti dhe besoj që është problematike, pra ky momenti kur kohën e shfrytëzon për akuza, ankesa dhe arsyetime.”

“E dyta, mendoj që ekziston një problem, i cili po shpërfaqet pas nëntë muajsh në këtë setup qeverisës. E para është se perceptimi ynë i përgjithshëm për kapacitetin e tyre intelektual duket se nuk është bash ai që na e kanë shitur për shumë vite, nuk kemi parë asgjë të shkruar tash e nëntë muaj, shumë kanë shkruar sa kanë qenë në opozitë. E dyta po duken proceduralisht jo kompetent, kriza energjetike na tregon ketë dhe profesionalisht të papërvojë, pra kemi ministër që vendin e tij të parë e ka ministrinë, ka qenë profesor, por ka qenë në cilësinë e ligjërimit dhe këto janë çështje të cilat dallojnë prej profesionalizmit.”

Sejdiu, mes tjerash, deklaron se qeveria proceduralisht është pak kompetente, profesionalisht e paaftë, por nuk është korruptive.

“Karshi kësaj beteje të madhe për ndërrimin e heqjes se një mentaliteti korruptiv nga qeverisja është kjo kundërpeshë, të cilën e përmenda pra një ‘finger pointing governance’, që veç me gisht bën të tjerët ku shihet qartazi që aspekti procedural dhe profesional çalon dhe koha dhe relacionet që i ke ndërtuar karshi kohës që e ke për t’i implementuar projektet dhe pritjet që i ke pasur, i ke krijuar vetë me projekte, këto janë besoj dy gjëra që duhet peshuar në vitin 2021, e unë besoj që më së shumti duhet të reflektojë për vitin 2022 qeveria. Duke e pasur parasysh edhe rezultatin e zgjedhjeve lokale, nëse këto i vendosim në peshore, atëherë duhet të themi në rregull, jemi të gatshëm të pranojmë dikë që është proceduralisht më pak kompetent, profesionalisht i paaftë, por që nuk është korruptive”, tha Sejdiu.

Të ngjashme