Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, ka thënë se me ratifikimin e marrëveshjes aktuale të demarkacionit, Kuvendi vendosi që të vazhdojë me koncesione për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së presidentit Hashim Thaçi dhe njerëzve, që sipas tij, falin territor dhe zhvatin ekonomi.
“Fatkeqësisht, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi që të vazhdojë me koncesione për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së presidentit Thaçi, dhe njerëzve që shumë vite, edhe territor, edhe ekonomi po falin e po zhvasin”, tha Sejdiu pas ratifikimit të demarkacionit.
“Ne e kemi bërë të ditur qëndrimin qysh dje, që kjo marrëveshje është e dëmshme, edhe nuk duhet votuar”.
“Grupi i Deputetëve të Pavarur sot me votën kundër kanë treguar që kjo marrëveshje është e dëmshme, dhe falen 8200 hektarë tokë të kësaj republike”, deklaroi ish-deputeti i Vetëvendosjes.