Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vala e tretë me Covid-19, që po kalon në të gjitha shtetet e rajonit, s’ka si mos të ndodhë edhe në Kosovë.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat që mos të rrezikohet jeta e tyre dhe sistemi shëndetësor.
“Apeli ynë është që mos ta rrezikojmë veten dhe sistemin shëndetësor sepse një valë e tretë që është ka ndodhur në të gjitha shtetet përreth s’ka se si mos të ndodhë tek ne. prandaj ne duhet të përkujdesemi për shëndetin tonë. Nëse rrezikohet sistemi shëndetësor do ti kemi punët shumë keq. Nëse shohim se shumica e të prekurve janë të moshës 30-39 vjeçare atëherë përkundër që nuk kemi shumë ne të moshës së shtyrë atëherë kjo është zona më e rrezikshme”, tha ai.
Sejdiu ka thënë se nëse numri i rasteve me Covid-19 shkon duke u rritur pas tubimëve gjatë fushatës zgjedhore, atëherë siç thotë ai, dikush duhet të marrë përgjegjësi.
“Shpresojmë se nuk do të shkojë më larg por ne jemi pesimist në këtë drejtim sepse nuk është ndryshe e shpjegueshme nëse numri është shumë i vogël pas atyre tubimeve atëherë vjen në pyetje ndoshta ne vetëm se e kemi kryer fenomenin e imunizimit të Tufos qysh në nëntor. Nëse ky numër rritet dikush duhet ta marr përgjegjësinë sepse ka qenë shumë e qartë që nuk janë konsultuar niveli Profesional se a të hiqen masat apo jo. Tash se cili do të jetë efekti i mbylljes ato janë vendime politike por unë besoj se dëmi i madh është bërë. Niveli politik duhet ta marrë përgjegjësinë ata të cilët kanë hequr këto masa dhe i kanë dalë jashtë kontrolli duhet të marrin përgjegjësinë”, shtoi Sejdiu.