Sekretari i PDK-së flet për kandidaturat e mundshme për të parin e partisë

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se mbajtja e Konventës Zgjedhore të PDK-së, më 3 korrik ka qenë vendim i gjithë Kryesisë së PDK-së. Ai në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë se në këtë parti e kanë parë të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje të brendshme.

“Ne dje në Kryesi pas diskutimit në të gjitha strukturat që është e nevojshme që për ta krijuar një dinamikë të re, PDK-së i duhet që ta zgjedh kryetarin dhe t’i ndërroj njerëzit rreth kryetarit. Krejt PDK-së dhe Kosovës është duke i munguar z.Veseli dhe presidenti që për një kohë të gjatë e ka udhëhequr PDK-në. Shërbimi më I mirë që mund t’ia bëjmë qytetarëve është rikthimi i PDK-së”, ka thënë Gjoshi.


E mbajtja e kësaj Konvente, sipas Gjoshit do të mbahet me propozim të u.d së kryetarit, Enver Hoxhaj.

“z.Enver Hoxhaj ka qenë i parë që e ka përmendur Konventën e PDK-së. Ishte rekomandim i tij dhe më pas vendim unanim i partisë. E kemi lënë me 3 korrik për shkak që është ditë vikendi, pasi që zgjat goxha shume dhe ka anëtarë që janë të punësuar gjatë javës”, ka thënë Gjoshi më tutje.

Fjalë të mira ai pati edhe për udhëheqjen e PDK-së, nga Hoxhaj përgjatë këtyre muajve.

“Z.Hoxhaj në kohën kur e ka marr PDK-në e ka udhëhequr në mënyrën më të mirë. Ai e ka falënderimin e secilit. Ai e udhëhoqi PDK-në edhe në fushatën ku pak javë më parë iu morën liderët. Ai udhëhoqi edhe me fushatën dhe ndër të gjitha partitë ne kishim rënien më të vogël. Ne nuk kemi biseduar për emra konkret por për modalitetin se si të ringritet PDK-ja”, deklaroi ai në “Frontal”.

Gjoshi ka folur edhe për raportimet, se Memli Krasniqi do të jetë një ndër kundërkandidatët e Hoxhajt për të parin e PDK-së.

Ai tha se Krasniqi ka qenë një ndër mbështetësitë më të mëdhenj të Hoxhajt.

“Nuk kemi parë ndonjë dëshirë konkrete dhe se dikush ka shprehur interesim për të parin e partisë. Në media kemi lexuar, por nuk është se ka shprehur dikush dëshirë për kryetar. Memli ka qenë një prej njerëzve që i ka dhënë mbështetje të plotë z.Hoxhaj gjatë këtyre muajve. Ai edhe në fushatën e zgjedhjeve nacionale ka pasur rol të jashtëzakonshëm. Nuk kam vërejtur gatishmëri të tij për të kandiduar”, ka thënë ai.

Për sa i përket kandidimit të Uran Ismailit, Gjoshi tha se i njëjti është fokusuar më shumë në Prishtinë dhe në ngritjen e partisë në kryeqytet.

“Uran Ismaili është duke punuar me qytetarë në Prishtinë. Ai është edhe kryetar i Degës së PDK-në në Prishtinë dhe më shumë është duke punuar me qytetarë për PDK-në në Prishtinë”, ka thënë ai.

Të ngjashme