Sekretari i SBAShK-ut: Nëse s’plotësohen kërkesat, do të humbasin edhe ditë të tjera të mësimit

Prishtinë | 19 Maj 2022 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, ka thënë se protesta e nesërme ishte paralajmëruar se do të ndodhte nëse nuk do të kishte plotësim të kërkesave pas grevës njëorëshe në institucionet arsimore dhe protestës që e kishin mbajtur ditë më parë.

“Protesta është në vazhdën e veprimeve sindikale që janë ndërmarrë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku merr pjesë edhe SBAShK-u, me vendim të kryesisë. Qysh para një muaji është vendosur që të kemi grevë njëorëshe të cilën e kemi realizuar në ditët e mëparshme dhe kemi thënë që edhe nëse kjo grevë nuk do të ketë rezultate, atëherë më 20 maj do të mbajmë një protestë masovike e cila do të jetë më e madhe se ajo që është mbajtur në fillim të muajit, sepse atëherë kanë qenë të ftuar vetëm kryesitë e shoqatave sindikale derisa nesër janë të ftuar edhe anëtarësia”.

SBAShK-u ka njoftuar se nesër nuk do të ketë mësim në të gjitha institucionet arsimore, derisa Ymeri thotë se meqë mësimdhënësit do të jenë në protestë nuk mund të zhvillohet procesi i rregullt mësimor.

“Ne kemi kërkuar mirëkuptim nga nxënësit, prindërit dhe drejtoritë komunale të arsimit që ditën e nesërme mësimdhënësit do të jenë në protestë dhe jo në shkolla, prandaj nxënësit nuk mund të mbajnë mësim. Këtë e kemi bërë me qëllim që t’i ikim grevës së përgjithshme e cila do të kishte pasoja më të mëdha – ndërprerje të punës shumë më tepër deri në realizimin e kërkesave. Po i përdorim veprimet e tjera sindikale me qëllim që t’i ikim grevës së përgjithshme”.

Ai, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, tha se kanë vendosur që protestën ta mbajnë gjatë një dite të javës kur ka mësim, për shkak se protesta e kaluar që është mbajtur në ditë vikendi nuk ka dhënë rezultate.

“Protesta e kaluar është mbajtur ditën e shtunë dhe e kemi menduar që qeveria ditët e pushimeve nuk i dëgjon kërkesat e punëtorëve, prandaj edhe kemi vendosur që protesta të jetë në një ditë pune. Derisa pas protestës së kaluar që është mbajtur ditën e shtunë nuk pati reagim, ftesë për bisedime apo ndonjë hap tjetër për realizimin e kërkesave thamë që ndoshta qeveria nuk i ka dëgjuar kërkesat në ditë vikendi”.

Ministria e Arsimit në një reagim në Facebook tha se orët mësimore që do të humbin nesër do të kompensohen, por për një gjë të tillë nuk është i bindur Sekretari i SBAShK-ut.

Madje, ai thotë se mund të humben edhe më shumë orë mësimore nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen.

“Varet nga bisedimet që i zhvillojmë me qeverinë. Kjo nënkupton që nëse do të kemi bisedime dhe do të kemi plotësim të kërkesave mund të bisedojmë për këtë çështje. Nëse nuk ka bisedime dhe plotësim të kërkesave jo që nuk do të zëvendësohet dita e nesërme, por do të humbasin edhe ditë të tjera që nga fillimi i qershorit”.

Ani se nesër nuk do të mbahet mësimi në institucionet arsimore, Ymeri nga SBAShK-u thotë se vendimin për mbajtjen e mësimit ose jo s’e marrin ata, derisa shton se ata marrim veç vendime për veprime sindikale.

Të ngjashme