Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar pasqyrat financiare të Kuvendit për vitin 2017-të, por jo edhe Raportin e shpenzimeve për vitin 2018-të, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, kërkoi shpjegim për pasqyrat financiare të Kuvendit për vitin 2017-të në lidhje me realizimin e uljes së buxhetit për shpenzime kapitale, vonesat në raportet kthyese të subvencioneve si dhe mangësimi i definimit të kriterit të ofertave.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha se projektet kanë ngecur në vitin 2017-të për shkak të procedurave strikte që janë dhe për ketë ka pasur vonesa.
“Çdo shpenzim i Kuvendit realizohet në bazë të vendimeve, asnjë nuk ndodh të veproj pa një kontroll strikt të brendshëm deri sa ta dinë se mjetet janë arritur në vendin e paraparë”, tha Krasniqi.
Krasniqi u arsyetua se mos zbatimi i projekteve ka ndodhur për shkak të procedurave.
“Nuk fajësoj administratën dhe as vetën, nuk fajësoj për shkak të procedurave që jemi të detyruar t’i zbatojmë, respektimi strikt i procedurave po na shkakton vonesa në investimet kapitale”, tha ai.
Krasniqi tha se subvencionet shkojnë në destinacionin e nisur dhe nuk ka problem asnjëherë edhe pse eksitojnë vonesat. Deri sa ka një kod buxhetor, për me zbatu këtë pozicion kryesia e kuvendit ka nxjerr rregullore për subvencion dhe transfer në çdo aspekt është i përmbyllur me buxhet dhe rregullore për zbatim të buxhetit. Në afat prej 60 ditë përfituesi i subvencion duhet të jap raport kthyes, për ne si administratë ka ardh një raport, por me vonesë dhe e ka përmbyllë investimin e paraparë, ka dalë që është i shfrytëzuar komplet”, tha Krasniqi.
“…Në rekomandimet që dalin nga Zyra e Auditorit kur marrim raportin ne marrim një vendim dhe formojmë komision prej 4 zyrtarëve, kam raport 3 mujorë për rrjedhën e rekomandimeve, rekomandimet janë adresuar dhe nuk përsëriten”, tha ai.
Selmanaj tha se mos realizimi i projekteve nuk mund të jetë vetëm arsyetim procedural, por duhet të shikohet se mos ka problem me stafin administrativ dhe kapacitetet e Kuvendit.
“Është fakt që në institucionet ka raste kur ka problem procedural në realizimin e projekteve, por këto janë të shumta ku prej 11 projekteve, 9 nuk janë realizuar fare. Nëse nuk ka raport final mundësia për abuzim ekziston”, tha Selmanaj.
Sekretari Krasniqi refuzoi të flas për Raportin e shpenzimeve për vitin 2018-të, pasi që sipas tij ky raport është në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe deri sa të mos kaloj nga ky komision nuk e ka kompetencën të flas për këtë raport.
Selmanaj pati shumë pyetje që i drejtoi Krasniqit duke kërkuar përgjigje për të si për mëditjet e deputetëve ku për 3 muaj stafi politik dhe këshilltarët kanë shpenzuar 310 mijë euro.
Krasniqi tha se raporti do të jetë i qasshëm për të gjithë kur të kaloj në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
“Raporti është në fazën e votimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryesia në takimin e djeshëm të mbajtur ka konstatuar se raporti për 2018-të do jetë i qasshëm kur të dalë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe do ju raportoj për gjitha pyetjet. Diskutimin nuk kam autorizim me shpalosë pa kalu në buxhet dhe financa”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Avduallah Hoti, tha se Krasniqi nuk ka të drejtë të refuzoj të flas sepse raporti duhet të trajtohet dhe e drejta e komisionit është që cilindo zyrtar publik ta ftoj të raportoj.
“Ne kemi të drejtë të ftojmë cilindo zyrtar publik dhe mu njoftu për çfarëdo lloj faze që është ai raport, nuk keni drejt mu sill kështu kjo i bie që nuk dëshironi mu përgjigj, por ne kemi të drejtë për tu njoftuar për cilëndo fazë që është raporti”, tha ai.
Hoti tha se është hera e parë që një zyrtar i tillë refuzon të flas për një çështje kaq të rëndësishme.
“Sekretari i Kuvendit nuk përgjigjet, është rast i paprecedent asnjëherë nuk ka ndodh që një zyrtar nuk përgjigjet në Komisionin e Financave Publike”, tha ai.
Krasniqi tha se nuk po refuzon të flas, por nuk ka të drejtë dhe kompetencë të raportoj kur ende raporti nuk ka kaluar në Komisionin për Buxhet.
“Kompetenca ime pushon kur të ka shkresa, kryesia e Kuvendit ka dhënë shpjegim që në momentin kur Komisioni për Buxhet është pro për këtë raport atëherë diskutohet me çdo kënd, unë nuk po refuzoj të flas, por po respektoj vendimin e kryesisë, nuk refuzova dhe nuk pranoj konstatimin e Hotit”, tha ai, raporton EO.
Deputeti i Nismës, Etem Arifi ,e përkrahi Krasniqin në vendimin e tij për të mos u përgjigjur për raportim i cili ende nuk ka kaluar në Komision për Buxhet dhe Financa, ndërsa kryesuesi Selmanaj i kërkoi Arifit të mos ta luaj rolin e avokatit të askujt.