Sekreti i një fëmije të lumtur është familja

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Psikologët po hasen gjithmonë e më shumë me rritje të intensitetit dhe frekuencës së çrregullimeve psikopatologjike te fëmijët dhe adoleshentët. Parandalimi është ndërhyrja më efikase, por për ta bërë këtë si fillim duhet të pranojmë ekzistencën e problemit dhe më pas të ndryshojmë çfarë nuk funksionon. Sigurisht, para se të fillojmë me këto ndryshime, duhet të riparojmë dëmtimet pasi në të kundërt fashot e plagëve të kaluara bien dhe do të na duhet t’ia nisim nga e para. Në problematikat që lidhen me fëmijët dhe adoleshentët, pashmangshmërisht del në pah rëndësia që ka roli i prindërimit në shëndetin mendor e fizik të tyre.

Shpesh harrohet se fëmijëria e hershme është një fazë tepër delikate ku hidhen hapat mbi të cilat do të ndërtohet identiteti i qëndrueshëm i njeriut dhe personaliteti i tij. Kjo është një periudhë plasticiteti neuronal dhe muskulor, i manipulueshëm si pozitivisht edhe negativisht, edhe nga të mësuarit indirekt. Fëmija mëson në mënyrë indirekte nga shembujt e figurave të rëndësishme të jetës së tij dhe eksperiencat e jetës. Fëmijët kanë nevojë për lidhjet, për konfrontimin prindëror, për marrëdhëniet sociale për aktivitet fizik. Fëmijët kanë nevojë të shprehen si nga një këndvështrim psikologjik edhe nga ai fizik, duke u ndjerë të mbrojtur nga një i rritur i cili i drejton, i ndihmon kur kanë nevojë dhe i inkurajon të ecin vetë kur është momenti i duhur.

Fëmija duhet të rritet me vetëdijshmërinë se ka një marrëdhënie të qëndrueshme, është i pranuar, dhe gjithmonë për të do të ketë një port ku ai mund të ankorohet e të riniset përsëri. Nga ana e tyre prindërit duhet të kuptojnë se ata nuk duhet të jenë si një parashutë, pasi në këtë mënyrë fëmijët asnjëherë nuk do hapin krahët për të fluturuar vetë.

Vihet re se gjithmonë e më rrallë po merret në krahë një fëmijë për t’u qetësuar ndërkohë që qan, gjithmonë e më rrallë prindërit shëtisin të kapur prej dore me fëmijët e tyre. Ata thjesht u zgjasin tabletin apo smartfonin. Kjo zgjidhje është më e shpejtë, më e thjeshtë. Fëmijët duket sikur kaplohen nga një dozë anestezie, e prindërit qetësisht mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre.

Në fakt është e kuptueshme (nëse kjo ndodh në raste të veçanta), por ajo çka e dëmton fëmijën është vazhdimësia në mënyrë sistematike dhe jo rastësia.

Sot kemi arritur deri në pikën ku fëmija nuk ecën më, por shëtit i shkëputur nga prindërit mbi një overboard elektrik apo patina, duke mos ndjerë rëndësinë e kënaqësinë e shtrëngimit të dorës prindërore. Problemi nuk është vetëm psikik apo emotiv, por problematika vihen re edhe nga pikëpamja e përvetësimit të kompetencave psikike dhe fizike. Gjithmonë e më shumë hasim fëmijë që nuk dinë të vrapojnë, të hidhen, të ngasin biçikletën.

Fëmijët kanë nevojë të luajnë, ndonjëherë edhe të rrëzohen e të vrasin gjunjët, të konfrontohen me bashkëmoshatarët dhe jo vetëm me të rriturit dhe teknologjinë. Fëmijët kanë nevojë të zihen dhe të pajtohen përsëri, të kuptojnë limitet e tyre, kuptimin e shoqërisë që ndryshon nga dërgimi i zemrave në what’sapp, distancën, empatinë dhe respektin.

• Fëmijët duhet të rriten duke zhvilluar aftësitë problem zgjidhëse dhe intelektin nëpërmjet eksperiencës së tyre edhe duke gabuar. Nëse duhet t’i mësojmë fëmijës të jetë i përgjegjshëm, si fillim duhet të sillemi si prindër të përgjegjshëm.

• Përballimi i jetës në mënyrë dinamike është sekreti për mos t’u sëmurur kurrë e për mos t’u mposhtur nga ngjarjet. Fëmijët e kohëve tona shpesh nuk e dinë ç’është motivimi, besimi në vetvete apo te dikush tjetër, apo ndjenjën e mundimit. Ata rrezikojnë ta humbin ndeshjen që në fillim të saj pasi askush s’ka humbur kohë t’i mësojë si ta luajnë atë.

• Për të mos folur gjithmonë për çka vjen pas, për pasojat, duhet të fillojmë të flasim tani. Familja duhet të jetë burimi fondamental në rritjen e një fëmije dhe aty duhet të investojmë nëse duam të evitojmë të flasim për patologji, devijanca e çrregullime. (Revista Psikologji)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme