Sekserët në politikë

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 09:36 | Nga Jakup Krasniqi

Secili njeri i vëmendshëm (shkruaj e flas gjithsesi për të vëmendshmit dhe me një përvojë politike, më të theksuar gjatë 20 viteve të fundit) e ka të lehtë që të vijë në përfundimin se partitë politike në Kosovë nuk i qeverisin organet statusore, por i pari i partisë çdo veprim politik e merr me të ashtuquajturit sekserë politikë.

Dhe nëse duam t’i krahasojmë figurativisht këta sekserë, ata s’janë gjë tjetër veçse xhambazët e kuajve në tregjet e kafshëve në të kaluarën.

Sot, ç’është e vërteta, nuk di a ka xhambazë në tregje kafshësh, por në politikë ka shumë, madje goxha shumë. Prandaj me xhambazë-sekserët nuk udhëhiqet partia politike e më së paku shteti. Kosova e këtyre viteve është tregimi më i saktë i kësaj që u tha. Ikja e qytetarëve, mllefi i tyre i shprehur ndaj politikës e politikanëve pa përjashtim, edhe pse, dorën në zemër, të gjithë nuk janë njësoj, është pasqyra më e saktë e kësaj gjendjeje me pak shpresa.

Dikush mbase edhe mund të thotë: Kjo nuk mund të thuhet për të gjitha partitë politike!

Nuk ka dyshim, mundet që partitë të mos iu ngjajnë njëra-tjetrës si veza vesë, por nga ajo që shihet e nuk shihet, dhe nuk kërkon ndonjë kallauz, e sidomos te ata që po defilojnë në ekranet televizive, sekserët janë në skenën politike e mediale pothuajse në te të gjitha partitë politike. Do të ishte mirë po të ishte ndryshe.

Pa dyshim që brenda partive politike ka njerëz të virtytshëm, por të virtytshmit, thënë më së buti, janë shumë të heshtur e pa ndikim, ose për shefin janë të papërshtatshëm, dhe do t’i kanë margjinalizuar me votën “qytetare” ose edhe janë margjinalizuar, të pashpresë, vetvetiu.

Kush nuk beson në këtë, shikoni të zgjedhurit ose shikoni edhe këshilltarët politikë të zyrtarëve më të lartë të shtetit, cili është niveli i tyre politik, intelektual e njerëzor dhe do të bindeni në këtë që po e them. Do të isha më shumë sesa i kënaqur, sikur ky konstatim imi të kundërshtohet me argumente.

Përderisa shefat i kanë të preferuarit e tyre, sekserët, nuk mund të mos ritheksoj pezhorativin “xhambazët e kuajve” në politikë, të virtytshmit nuk mund të jenë në tryezën ballore të vendimmarrjes politike e institucionale.

Përderisa të virtytshmit nuk janë në tryezën ballore të vendimmarrjes, vendimmarrja dhe qeverisja do të jenë kështu tallave si edhe muzika e 20 viteve të fundit. Të gjithë e dimë se tallavaja nuk është kulturë muzikore, është një kiç e hiç, ashtu siç është edhe qeverisja me sekserë e beterë të çdo lloji.

Sikur shefat e partive politike të rrethoheshin me njerëzit e virtytshëm, atëherë nuk do të kishte shefa por Kryetar partish, mund të thotë dikush, e unë do të pajtohesha, atëherë komunikimi në mes partive politike do të ishte njerëzor, interesi kombëtar e qytetar do të gjendej pa vështirësi, koalicionet do të bëheshin më lehtë e shpejt dhe qeverisja do të bëhej në të mirë të publikut e jo për shefat e sekserët a bodigardët e tyre, që shpesh shpërblehen me pozita ministrash.

Kjo gjendje është evidente sidomos dhjetë vitet e fundit, por shqetësuese është bërë në dy-tri legjislaturat e fundit.

As pas zgjedhjeve të 6 tetorit nuk po shihet ndonjë ndryshim, u bë apo nuk u bë marrëveshja për koalicionin qeverisës. Kjo është e dhimbshme, ndaj edhe shpresa për ndryshim është tejet e vogël. Epo, kush ka mbetur të na kthejë shpresën është për t’u neveritur!

Pazarllëqet e sekserëve nuk e sjellin ndryshimin! Sa më herët që ta kuptojmë këtë si politikanë apo qytetarë aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Askush, e as të virtytshmit në partiçkat politike, nuk duhet të shohin ëndrra me sy hapur! Apo duhet të presim që t’i shohim “mrekullitë” së bashku!

Në pritje të mrekullive jemi! Ndonëse, unë nuk besoj as në mrekulli tokësore, as ato qiellore!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme