Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri më tani nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinave Covid-19, përveç kësaj, numri i madh i rasteve pozitive ka hedhur në pah se Kosova nuk është duke e menaxhuar situatën me pandeminë.
Institucionet përgjegjëse të Kosovës që nga fillimi i vitit kanë premtuar 33 mijë doza të vaksinave për qytetarët e saj, por ky premtim nuk u materializua asnjëherë. Andaj, qytetarët kanë mbetur nën mburojën e maskave dhe dezinfektuese.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në parafushatë zgjedhore kishte deklaruar se Kosova kishte siguruar 500 mijë vaksina anti Covid nga kompania Pfizer, deklaratë që mbeti vetëm në formën e premtimit.
“Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta. Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19”, kishte deklaruar më 5 janar Zemaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Kur jemi në fund të muajit mars, vaksinat e premtuara ende nuk kanë ardhur, teksa nuk ka asnjë afat kohor se kur do të vinë, nuk dihet se sa do të jetë numri i këtyre vaksinave, dhe as lloji i tyre.
Krejt kjo situatë e krijuar hedh në pah keqmenaxhimin dhe mungesën e kapaciteteve të Kosovës.
Për të diskutuar për këtë temë, Instituti D4D organizoi një sallon diskutimi me tre panelistë: Ilir Tolaj infektolog, Hana Xhemajli, hulumtuese në fushën e politikave globale shëndetësore dhe Sami Uka Kryeshef, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
Gjatë diskutimit të sallonit u potencua se për të filluar imunizimi i qytetarëve duhet të ketë një plan operacional i cili duhet të jetë i realizueshëm, konciz, i qartë dhe i bazuar në të dhëna, teksa në rrethanat ekzistuese një proces i tillë është i vështirë i realizueshëm.
Kjo pasi nuk ekziston një databazë në nivel komunal apo qendror, e cila ka të evidentuar personat mbi moshën 80 vjeçare, apo personat që vuajnë nga sëmundjet kronike që në rrethana normale do të kishin prioritet në vaksinim.
Edhe në rastin hipotetik ku sigurimi i vaksinave nuk do të ishte problem, logjistika e vaksinimit të qytetarëve do të jetë shumë sfiduesve, për mungesën e këtyre regjistrave demografike që janë esencial në këtë kohë.
Ballafaqimi i Kosovës me pandeminë ka identifikuar dobësitë e institucioneve dhe kapacitetet e Kosovës për t’u ballafaquar me rreziqet që po përballen qytetarët e saj.
Covid-19 po del të jetë tregues i madh se vendit tonë i mungojnë kapacitetet njerëzore për t’u përballuar me pandeminë gjithashtu mungesë të një sistemi kualitativ shëndetësor e shtetëror dhe koordinim institucional për t’u përballuar me kriza shëndetësore të kësaj natyre.
Një gjë e tillë u përmend edhe gjatë diskutimit të sallonit, ku u shpreh se edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk gëzon përgatitjet e nevojshme për procesin e vaksinimit.
E, këtë përgatitje nuk e ka as Komuna e Prishtinës si një nga qendrat më të mëdha të sistemit shëndetësor parësor, pasi që ka mungesë të një aplikacioni ku mund të regjistrohen qytetarët që shprehin gatishmërinë për vaksinim.
Por nëse bëjmë krahasime në mes Kosovës dhe vendeve për rreth saj, Serbia del të jetë vendi që është duke e menaxhuar më së miri situatën me pandeminë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka iniciuar një plan për sigurimin e vaksinave për qytetarët e tij, duke përfshirë këtu edhe komunitetin serb të Kosovës.
Sipas asaj që u diskutua gjatë sallonit të së martës, Serbia nuk ka zgjedhur se me cilat vaksina do të vaksinohen qytetarët e saj. Lidhjet e forta me Rusinë dhe Kinën ka bërë që Serbia të jetë shembull për rajonin.
Pandemitë dhe katastrofat natyrore do të vazhdojnë të jenë rrezik për vendin edhe në të ardhmen. Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj zhvillimit të sektorit të shëndetësisë në vend.
Prioritet për qeverinë e sapo emëruar duhet të jetë rregullimi i sektorit të shëndetësisë dhe shtimi i kapaciteteve shëndetësore në mënyrë që gatishmëria dhe përgatitjet për katastrofa të tilla në të ardhmen të jetë e aftë të reagojë dhe premtimi i dhënëse deri në gjysmë të vitit të vaksinohen së paku 60 për qind të popullatës të përmbushet.
Andaj, duke e ditur se kjo është një çështje madhore dhe kërkon mobilizim, është imperative që qeveria e ardhshme ta prioretizojë sigurimin e vaksinave dhe të fillojë procesin e imunizimit të popullsisë.
Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.
Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, vetëm panelistët dhe moderatori/ja kanë qenë të pranishëm fizikisht, ndërkaq diskutimi është transmetuar direkt në Faqet e Facebookut të D4D-së dhe EkonomiaOnline.