Një bashkëpunim në mes të Ministrive të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Odave Ekonomike të dy vendeve, solli forumin ekonomik në mes Kosovës dhe EBA, të financuar nga MPJ e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Delegacioni Kosovar i kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u prit nga Ministri për Ekonomi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Mansoori dhe ekzekutivi i Odës Ekonomike Federale të EBA me të cilët diskutuan për së afërmi potencialet ekonomike në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin minerar.
Ministri Lluka gjatë fjalimit në hapje të forumit, potencoi reformat që Kosova ka ndërmarrë me vite të tëra për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, gjë që është reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare siç është ai i Bankës Botërore, ku Kosova renditet e dyta në rajon, pas Maqedonisë.
Kreu i MZHE-së gjithashtu është shprehur se pozita gjeografike dhe kosto e ulët operative, e bëjnë Kosovën akoma me atraktive për bizneset që kanë target plasimin e produkteve në tregjet e Bashkimit Evropian, treg ky prej 600 milionë konsumatorë me qasje të lirë dhe pa tarifa doganore.
Në Forumin Ekonomik në mes Kosovës dhe EBA, prezantime të potencialeve në Kosovë kishte edhe nga Agjencia për përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), departamenti për PPP në Ministri të Financave dhe Komuna e Vushtrrisë.
Në fund u nënshkrua një marrëveshje e bashkëpunimit në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike të Sharjah.