Sektori privat përballet me vështirësi të shumta

Prishtinë | 06 Mar 2019 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Sektori privat në Kosovë përballet me shumë vështirësi. Sipas përfaqësuesve të bizneseve, një ndër sfidat është edhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar.

Ata thonë se me gjithë shkallën e lartë të papunësisë, bizneset në vendin tonë përballen me mungesë të punëtorëve të kualifikuar. E njohësit e ekonomisë potencojnë nevojën e reformimit të sistemit arsimor dhe bëjnë thirrje që kuadrot e reja të përgatiten në bazë të kërkesave të tregut të punës.

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është evidente në Kosovë. Kështu tha për Radio-Kosovën kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

Sipas tij, kërkesat e tregut të punës janë të ndryshme, varësisht prej shkallës së zhvillimit ekonomik. Profesionet më të kërkuara janë ato në ndërtimtari, bujqësi e profesione të tjera. Ndërkohë të rinjtë e kualifikuar synim kanë tregun evropian.

“Tregu i Kosovës për çdo ditë po prodhon fuqi punëtore të pakualifikuar dhe për kualifikime të tyre pothuajse nuk ka ndonjë demonstrim të institucioneve, qoftë edhe shkollat profesionale apo shkolla të tjera. Vendet perëndimore janë duke kërkuar fuqi punëtore nga Kosova, kërkojnë punëtorë me aftësi dhe shkathtësi të larta, dhe kjo do ta varfërojë edhe më shumë tregun e punës. Dhe Kosova dalëngadalë do të mbetet edhe pa punëtorë profesionalë por edhe pa konsumatorë, tatimpagues dhe qytetarë të saj”, tha Shahini.

Bedri Kasumi, pronar i Kompanisë “Pestova”, thekson se viteve të fundit ka investuar shumë në mekanizëm teknologjik. Kjo për arsye, që, siç thotë ai, ka vite që përballet me mungesë të punëtorëve bujqësorë.

“Për punëtorë sezonalë është jashtëzakonisht shumë problem. Këtë vit kemi investuar shumë në mekanizma dhe kjo na mundëson që të jemi më të pavarur nga dora e njeriut, sepse qe pesë vite kur vjen koha për nxjerrjen e patates dhe ujitjes, ne ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve, edhe pse kanë pagë të mirë, dy shujta në ditë dhe 8 orë punë. Mirëpo kemi punuar shumë tash vonë që të jemi sa më pak të varur nga faktori njeri, edhe pse kjo ka koston e vet, sepse dora është dorë, dhe ajo që punohet me dorë, nuk ka mekanizëm që e përmbush. Është fjala për kualitet të produktit”, tha Kasumi.

Për këtë çështje, edhe faktorët ndërkombëtarë shpesh kanë rekomanduar që duhet të punohet më shumë në krijimin të kuadrove profesionale. E përfaqësues të bizneseve dhe punëdhënësit, theksojnë se është momenti i fundit që të punohet më shumë në reformimin e sistemit arsimor. Ata thonë se zhvillimi i politikave arsimore duhet të bëhet në bashkërendim me politikat ekonomike. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme