Sekuestrohen 2 tonë kokainë me vlerë 400 mln euro në Siçili të Italisë

Prishtinë | 17 Pri 2023 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Dy tonë kokainë, që kapin vlerën e mbi 400 milionë eurove janë sekuestruar nga Guardia di Finanza në Siçili të Italisë.

Raportohet se kokaina u gjet në det, në brigjet lindore të Siçilisë, nga efektivë të Katania dhe nga grupi ajror-detar i Messinas.

Mediat vendase bëjnë me dije se për të shmangur depërtimin dhe fundosjen në ujë, kokaina ishte paketuar në rreth 70 pako lundruese të shoqëruara nga një pajisje sinjalizuese me ndriçim dhe të gjitha pakot ishin të lidhura së bashku me rrjeta.

Sipas autoriteteve, mendohet që ka qenë një anije tjetër që e ka hedhur drogën në det për t’u marrë nga trafikantë të tjerë të cilët do ta nxirrnin në breg.

Deri në këto momente nuk ka asnjë person të arrestuar për drogën, ndërkohë që policia ka nisur hetimet.

Të ngjashme