Sekuestrohet municion i kontrabanduar në regjionin e Prishtinës

Prishtinë | 09 Tet 2025 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës njofton se ka sekuestruar municion të kontrabanduar në regjionin e Prishtinës.

Sekuestrimi i municionit u bë gjatë kontrollit në një subjekt afarist dhe objektet ndërlidhëse të tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sot, më datë 09.10.2025, në regjionin e Prishtinës, njësitet e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me sektorët kompetentë dhe në bazë të mandatit nga Kodi Doganor dhe i Akcizave të Republikës së Kosovës, kanë kryer një kontroll të befasishëm në një subjekt afarist. Gjatë kontrollit të objekteve ndërlidhëse të biznesit, është zbuluar dhe sekuestruar një sasi municioni të kontrabanduar të kalibrave të ndryshëm, përfshirë municion për armë të gjata dhe për armë gjahu, i cili ishte mbajtur në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

Sipas Doganës, lidhur me këtë rast është njoftuar prokuroria kompetente.

“Lënda është dokumentuar dhe është njoftuar Prokuroria kompetente, ndërsa Dogana e Kosovës do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit për të identifikuar burimin dhe destinacionin e këtij municioni të kontrabanduar”, njofton Dogana.

Të ngjashme