Qytetarët janë të lirë vetë të vendosin se për kë do të votojnë në rrethin e dytë, ndërkaq partia vendimin përfundimtar do ta marrë javën e ardhshme, kështu ka deklaruar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dje në emisionin “360 Shkallë”, transmeton Portalb.mk.
“Vendimin përfundimtar do ta marrim në mbledhjen e Kryesisë së partisë, javën e ardhshme, por personalisht, unë si kryetar i Aleancës, porositë që i kisha, i kam përcjell, dhe isha shumë i qartë”, tha Sela.
“Po del se liderët nuk e kanë kuptuar porosinë, nuk duhet t’u drejtohen partive, por qytetarëve. Ne nuk bimë nën ndikim të fjalëve të mira, të cilat dikush i thotë për ne”, tha Sela.
Sela nuk ishte preciz në përgjigjen e pyetjes, se a do të dalë të votojë më 5 maj, duke thënë se ajo do të shihet në ditën e votimit.
ASH-ja në rrethin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 21 prill 2019, e mbështetën kandidatin e pavarur, Blerim Reka.