Bordi i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit, që udhëhiqet nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, ka marrë vendimin për ndarjen e afër 50 milionë dollarëve për programin “Threshold” në Kosovë.
Petrit Selimi, koordinator nacional i programit amerikan, “Sfidat e Mijëvjeçarit për Kosovë” (MCC), tha se kanë pritur se nuk do të aprovonin këtë shumë, pasi që do të mund të zvogëlohet.
“Këto mjete do të investohen në vitet e ardhshme në projekte të efiçiencës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit”, tha Selimi sot në RTK.
Sipas tij në efiçiencën energjetike, do të mund të përfitojnë të varfrit dhe kjo do të mund të ndihmojë ato familje kosovar. “Këto mjet që janë 50 milionë dollarë, do të shfrytëzohen për dy vitet e ardhshme”, tha Selimi.
Ai bëri me dije se ka pasur diskutuar të shumta me akterët në Kosovë, ku i kanë përgatitur projektet dhe i kanë dërguar atje.“Vendimi i Bordit të MCC është një lajm i mirë për Kosovën, lajm i mirë për biznesin kosovar dhe për mijëra përfitues që do të përjetojnë impaktin e vërtetë të investimeve amerikane nga MCC. Institucionet e Kosovës kanë bashkëpunuar me shoqërinë civile, OJQ-të e shumta por edhe komunitetin e biznesit”, tha ai.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka kualifikuar vjet në dhjetor Kosovën për ndihma të programit “Threshold”.
Qeveria e Kosovës ka themeluar njësitin e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për përpilimin e projekteve konform metodologjisë së përgatitur nga pala amerikane dhe tani pritet që Kosovës t’i derdhen 49.6 milionë dollarë mjete të pakthyeshme për të përforcuar reformat në fusha të rëndësishme si dhe për investime në projekte që përforcojnë kornizën energjetike të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.