Ish gjenerali i UÇK-së, Rexhep Selimi në fjalën e tij ka thënë se edhe po të kishte vazhduar lufta, ai do të ishte ushtar i atdheut, raporton Ekonomia Online.
Ai komentoi kërkesën e ZPS-së për dënim prej 45 vjetësh, e ku tha se ai është i gatshëm edhe jetën ta jep për Kosovën.
“Prokuroria në dosjen e saj përfundimtare kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata saqë synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë tash e tutje varet nga vendimi juaj, por Prokuroria duhet ta ketë kuptuar se kurdo që të kthehem, do të kthehem në Kosovën e lirë. Në Kosovën për të cilën jam krenar që i kam dalë zot dhe për lirinë e të cilës kam qenë dhe jam i gatshëm të jap edhe jetën sa herë që kërkohet.”, tha ai.
Ai tha se UÇK nuk u krijua nga dëshira.
“UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja; ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Unë isha pjesë e një ushtrie vullnetare, njëqind për qind vullnetare, njerëz që u detyruan të marrin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Në një pjesë të parashtresave të saj, Prokuroria në mënyrë të çuditshme dhe akuzuese më cilëson njeri të afërt me Adem Jasharin dhe organizator që gëzonte respekt. Nuk është e qartë nëse është menduar si akuzë apo vlerësim. Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh që mund ta kisha; po ashtu e konsideroj nder edhe cilësimin si një nga themeluesit e UÇK-së. Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza, atëherë problemi qëndron te ata që e trajtojnë nderin dhe përgjegjësinë historike si faj. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë bashkëluftëtarë të mi kanë vdekur duke i siguruar ato. Ne kërkuam ndihmë dhe armë edhe nga vendet mike, përfshirë edhe SHBA-në, gjë që është trajtuar edhe në këtë sallë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plane për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politikë. UÇK nuk ishte parti politike, ishte ushtri çlirimtare. Madje, edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalej në qershor 1999 dhe do të vazhdonte edhe deri në ditën e sotme, unë ende do të isha ushtar i atdheut tim, kuptohet, nëse nuk do të isha vrarë deri më tani, për çka gjasat ishin reale. Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur dhe sot do ta bëja të njëjtën gjë”, tha ai.