Selimi nuk i komenton deklaratat e Hotit: Po i presim procedurat

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 13:28 | Nga

Deklaratat e djeshme të kandidatit për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti se nuk do të hyjnë në koalicion as me PAN-in e as me VV-në, nuk kanë dashur t’i komentojnë këta të fundit.

Njëri nga figurat qendrore në Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për lajmi.net se ky subjekt po e pret përfundimin e procedurave.

“Ne po i presim procedurat. Nuk po flasim për numrat e mandatarit të Vetëvendosjes, para se të kryhen procedurat e mandatarit të parë, pra PAN-it”, tha Selimi.

I pyetur se a ka pasur bisedime deri më tani ndërmjet koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes, Selimi e ka mohuar një gjë të tillë.

Dje ministri në detyrë i financave, Avdullah Hoti tha se LDK-ja nuk bën koalicion me PDK-në pasi këta e rrëzuan Qeverinë, por as me Vetëvendosjen.

“Ne nuk hyjmë në asnjë variant me PDK-në në koalicion. VV është bërë bashkë me PDK-në në rrëzimin e Qeverisë. Unë pres që këto dyja të bëhen bashkë dhe të qeverisin bashkë, pasi ishin bashkë kur e rrëzuan Qeverinë”, kishte thënë Avdullah Hoti.

Që të dihet saktësisht se kush me kënd do të jetë në koalicion, partitë po presin certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme