Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, pajtohet me ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili nga burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, ka deklaruar se pas luftës janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë të UÇK-së.
Rexhep Selimi, i cili ka qenë komandant i UÇK-së, duke folur në një intervistë për Ekonomia Online rreth dyshimeve për 19 mijë veteranët e “rrejshëm”, të identifikuar nga prokuroria, ka thënë se Sylejman Selimi u është referuar listave të veteranëve menjëherë pas përfundimit të luftës.
Sipas tij, ato kanë pasur nevojë të plotësohen dhe janë plotësuar duke u rritur numri i veteranëve, por jo deri në rreth 60 mijë.
“Deri më tani, vlerësimin më objektiv dhe më të sinqertin e ka dhënë nga një ambient krejt jashtë nga këtu, nga burgu i Dubravës, Sylejman Selimi, i cili e ka thënë një të vërtetë edhe në përputhje me njohuritë e tij, por e ka thënë një të vërtetë në përputhje me rolin që e ka pasur ai”, thotë Selimi.
Rexhep Selimi, që në kohën kur janë themeluar njësitë operative të UÇK-së ka qenë drejtues i Drejtorisë së Operacioneve dhe është marrë drejtpërdrejt me zhvillimin e të gjitha zonave, thotë se që nga brigada e parë e deri te ajo e fundit e di përafërsisht numrin e luftëtarëve, madje në shkallën më të lartë të mobilizimit.
Me një matematike të thjeshtë, vazhdon Selimi, del se në asnjë variant UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë.
“Por, te maksimumi kurdo që shkojmë, së paku nëse nuk dimë pjesëtimin, duhet ta dimë mbledhjen dhe zbritjen, është e thjeshtë kjo punë. Pra, nëse ne e dimë matematikën e thjeshtë atëherë dalim edhe të numri i saktë ose i përafërt i veteranëve, i cili, gjithsesi, në asnjë variant nuk e kalon numrin 20 mijë, në asnjë variant, as në shkallën më të lartë të mobilizimit”.
“Ai (Sylejman Selimi) ka thënë që në mbledhjen, evidentimin e parë të luftëtarëve të UÇK-së në kohën kur ka ndodhur transformimi nga UÇK-ja në TMK kanë qenë rreth 13 mijë dhe ka pasur plotësisht të drejtë. Unë po i shtoj akoma edhe rivlerësimin ose riverifikimin që ka ndodhur pastaj, shkon diku te 17 mijëshi, por nuk duhet të mbetem rob i shifrave. Po flas në kompetencë timen kur them që nuk kalon 20 mijëshin, por përtej kësaj ne duhet t’u referohemi fakteve, listave të cilave nuk u është referuar komisioni aktual”, thekson Selimi për EO.
Selimi vlerëson se me fyerjen e listave të veteranëve, krahas kërcënimit të drejtësisë dhe dëmtimit të buxhetit të shtetit, është dëmtuar më së shumti historia e UÇK-së dhe, sipas tij, kjo është e dhimbshme.
Ai shprehet se fryrja e listave të veteranëve përbën shkallë të krimit të organizuar.
“Në vend që ky komision të bënte verifikimin dhe eventualisht largimin e personave të paduhur aty, ka bërë të kundërtën, ka shkuar deri në trefishimin e listave të veteranëve, një manipulim në shkallë të krimit të organizuar tashmë, sepse nëse ka ndodhur shkelje e ligjit në mënyrë të organizuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me diçka që është përtej një krimi ordiner”.
Deputeti i LVV-së kërkon që procesi i listave të veteranëve të kthehet në pikën zero, sepse, sipas tij, veteranët e vërtetë nuk mund të mbesin nën hijen e veteranëve mashtrues.
“Kemi modalitete se si kthehemi në pikën zero dhe të mos dëmtohen ata që me të vërtetë e meritojnë një status të tillë, sepse në këtë rast të dëmtuarit kryesor mbeten ata që kanë qenë të vërtetë dhe paramendojeni vepra dhe sakrifica e tyre po mbetet nën hijen e mashtruesve, mashtruesit dhe heronjtë mbeten në të njëjtën listë dhe revolta e atyre që kanë qenë vërtet luftëtarë është e justifikueshme”, thotë Selimi në një intervistë për Ekonomia Online.