Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka hedhur poshtë mundësinë që në seancën e nesërme të përdorin gazlotsjellës, për ta parandaluar votimin e Qeverisë së re.
Shefi i Grupi Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se deputetët e kësaj partie, do të jenë në përputhje me mandatin që kanë.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e saj do të jenë në përputhje me mandatin që kanë deputetët dhe në përputhje me vendimet e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt politik. Edhe tani pas çdo situate zgjidhja e vetme janë zgjedhjet sepse kur ka mocion të suksesshëm mosbesimi edhe në përputhje me Kushtetutën me nenet 82 dhe 95 vetëm zgjedhjet janë zgjidhje”.
“Zgjedhjet do të duhet të ndodhin në afatin sa më shpejt të mundshëm. Një paragjykim i tillë nuk besoj që i ndihmon bashkëbisedimit tonë, sepse ne nuk kemi thënë se do të hedhim gaz lotsjellës”, tha ai.
Ndërkaq, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Selimi ka thënë se nuk mundet të krijohet një precedant i ri, pasi sipas tij, një vendim antikushtetues.
“Nuk besoj të përdoret si precedan diçka që është tashmë vendim i padrejtë, sepse vendimi i gjykatës kushtetuese tashmë është vendim i padrejtë ashtu siç ka qenë jo kushtetuese edhe dekreti i presidentit për nomimin e Hotit për kryeministër”, tha ai.
Selimi ka thënë se protestën e 5 qershorit nuk e ka organizuar VV-ja, raporton EO.
“Peticioni është shprehje e qytetarëve dhe kemi pasur edhe raste të tjera ku qytetarët janë shprehur përmes formës së tyre qoftë përmes protestave qoftë përmes peticioneve, sepse këto janë format dhe mënyrat e qytetarëve që mund të shprehen”.
“Në parlamentin e Kosovës qytetarët e kanë dërguar fituesin e vet dhe kanë krijuar mazhorancën e vet subjektin fitues që është Lëvizja vetëvendosje e cila do të jetë gjithmonë zëri i tyre dhe zëdhënësi i tyre, por në anën tjetër qytetarët duke parë zhvillimet e fundit kanë vendosur që të japin fjalën e vet sepse bëhet fjalë për ta. Prandaj me anë të peticionit qytetarët po shprehin pakënaqësitë e tyre që dikush dëshiron t’ua grabis fitoren që e kufizuan me 6 tetor”.