Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.
Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në vazhdimësi për Kosovën, ministri i Drejtësisë, ka vlerësuar posaçërisht asistencën amerikane përmes projekteve ndër vite, të cilat kanë mundësuar forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.
Ministri Selimi, gjatë takimit, e informoi ambasadorin Kosnett, se që në nisjen e mandatit të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë, është orientuar drejt veprimeve konkrete që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si beteja më e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit në vend.
“Pas takimeve të para që kam zhvilluar me udhëheqësit e departamenteve dhe agjencive, që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, kam identifikuar veprime të menjëhershme, të cilat duhet të ndërmerren. Me këtë rast, në Shërbimin Korrektues janë suspenduar nëntë zyrtarë për keq menaxhim të fondeve, respektivisht moszbatim të rekomandimeve të auditorit kombëtar. Ndërsa, nga Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi, kam kërkuar intensifikimin e përpjekjeve kundër korrupsionit në administratë të shtetit, me ç’ rast avokatët shtetërorë tani e tutje janë të obliguar të ngrisin kallëzime të menjëhershme penale për vepra korruptive”, njoftoj ministri Selimi.
Ministri i Drejtësisë e ka njoftuar ambasadorin Kosnett me disa nga prioritetet e tij për fuqizimin e çdo hallke të sistemit të së drejtës, duke potencuar synimet për garantimin e pavarësisë, ngritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizimit të sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, forcimin e sistemit të llogaridhënies, procesin e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit dhe krijimin e Gjykatës Komerciale.
Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, duke e uruar për detyrën e re Ministrin Selimi, tha se ShBA-ja mbetet përkrahëse e vazhdueshme dhe partner kyç për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Ambasadori nënvizoi kërkesën e madhe publike për veprime të menjëhershme qeveritare për të luftuar korrupsionin dhe fuqizuar sundimin e ligjit.