Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka kohë që është bërë rrezik për Kosovën dhe sigurinë e saj.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook duke komentuar fjalimin e fundvitit të kreut të shtetit të mbajtur një ditë më parë para pjesëtarëve të FSK-së ka shkruar poashtu se “ai nuk do të duhej të mos e vlerësonte prezencën ushtarake të NATO-s në Kosovë”.
“Presidenti i Pronto-s duket në krizë të rëndë, jo vetëm politike. Ai tashmë nuk është vetëm i papërgjegjshëm por ka kohë që është bërë edhe rrezik për Kosovën dhe për sigurinë e saj.
Sëpaku në prani të ushtarëve të FSK-së ai nuk do të duhej të mos e vlerësonte prezencën ushtarake të NATO-s në Kosovë”.
“Thaçi do të duhej t’i raportonte Kuvendit e jo të shkonte të bënte prova amatore me prompterë në prani të ushtarëve të FSK-së që tash e sa vite po manipulohen me ëndrren e tyre që një ditë edhe ata të jenë ushtarë të ushtrisë që e duan.Ushtarët duan ushtri e jo mashtrime”, ka shkruar ai.