Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, thotë se kandidatët e koalicionit PAN, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, nuk i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend, por me deklaratat e tyre vetëm po mundohen ta paraqesin klimën e fituesve
Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, e pranon se e ka mik të mirë Ramush Haradinajn, por një miqësi e tillë nuk ia garanton këtij të fundit me automatizëm edhe votën për ta formuar Qeverinë e Kosovës.
Gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-bashkëpartiaku i Haradinajt thotë se do t’u qëndrojë besnikë votuesve të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe kandidati i tij për kryeministër është Albin Kurti.
Një ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku Kadri Veseli do të jetë kandidat për kryeparlamentar, Selimi shprehet i bindur se kandidatët e koalicionit PAN nuk do të arrijnë t’i marrin votat e nevojshme të deputetëve, pasi që nuk i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend, prandaj do të detyrohen që t’ia lëshojnë rrugën “Vetëvendosjes” dhe koalicionit LAA për t’i formuar institucionet e reja.
Megjithatë, gjatë votimit të kandidatëve të koalicionit PAN për krye parlamentar dhe për kryeministër deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” nuk do ta bllokojnë seancën e Kuvendit e as të gjuajnë gaz lotsjellës, siç i kishin bllokuar disa herë seancat në Legjislaturën e pestë.