Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar mobilizim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës për procesin në shkallën e Apelit.
Selmanaj ka thënë se Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera duhet të ofrojnë mbështetje politike, juridike, financiare dhe profesionale.
“Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera të Kosovës duhet të mobilizohen menjëherë për të ofruar mbështetje të fuqishme politike, juridike, financiare dhe profesionale për procesin që do të zhvillohet në shkallën e Apelit”, ka shkruar Selmanaj.
Ai ka kërkuar gjithashtu koordinim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për angazhimin diplomatik në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të koordinohen ngushtë për një angazhim të gjerë diplomatik, në të gjitha qendrat e vendosjes”, ka deklaruar ai.
Sipas Selmanajt, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me aleatët strategjikë, duhet të angazhohen për garantimin e pavarësisë dhe standardeve të barabarta të drejtësisë.
“Qeveria dhe institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht SHBA-në dhe vendet mike, duhet të angazhohen për të garantuar pavarësi dhe standarde të barabarta të drejtësisë”, ka shkruar ai.
Selmanaj ka theksuar nevojën për unitet institucional dhe angazhim të koordinuar politik e diplomatik, duke paralajmëruar pasoja nëse nuk ka mbështetje të mjaftueshme për procesin e Apelit.
“Pa mobilizimin dhe mbështetjen e madhe nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës, epilogu edhe në shkallën e Apelit mund të jetë negativ dhe me shumë pasoja për të ardhmen e shtetit tonë!”, ka shtuar Selmanaj.