Selmanaj: Mos u befasoni nëse për Kryeprokuror propozohet dikush që i përshtatet Albin Kurtit

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke e akuzuar për bllokada, dështime dhe paralizë institucionale, me theks të veçantë te mungesa e Kryeprokurorit të Shtetit për më shumë se katër vite.

Sipas tij, Qeveria që kishte premtuar forcimin e shtetit dhe reforma në drejtësi, sot po mbahet mend për institucione të bllokuara. Ai e cilësoi të papranueshëm faktin që një institucion kyç i drejtësisë vazhdon të funksionojë pa udhëheqës.

“Qeveria e “ndryshimit” është shndërruar në qeverinë e anarkisë dhe të ngulfatjes institucionale”, ka shkruar Selmanaj.

Ai ka komentuar edhe procedurat aktuale për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke paralajmëruar se, bazuar në deklarimet publike të kryeministrit Albin Kurti, mund të propozohet një kandidat i afërt me pushtetin.

“Ky do jetë fundit i shtetit ligjor dhe përmbysje e demokracisë. Pasojat do i paguajm rëndë të gjithë!”, shkroi ai.

Selmanaj përfundoi duke thënë se pas më shumë se pesë vitesh qeverisje, përgjegjësia për këtë gjendje, sipas tij, bie mbi Albin Kurtin dhe rrethin e tij politik.

Të ngjashme