Sulmuesi Astrit Selmani mund ta humbë grumbullimin me Përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjet e marsit. Rastet e shumta me Covid-19 te skuadra e Hammarbyt ku aktivizohet Selmani, kanë bërë që të gjithë anëtarët e ekipit elitar të Suedisë të karantinohen. 16 futbollistë të Hammarbyt kanë dalë pozitiv në testin për koronavirus të martën dhe drejtuesit e klubit menjëherë kanë ndërmarrë masa për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Astriti është ende në karantinë me pjesën tjetër të ekipit. Ai nuk ka asnjë simptomë dhe të gjithë mund të dalin nga karantina të premten”, ka thënë për KOHËN të mërkurën, menaxheri i Astritit.
Ai gjithashtu ka shtuar se Selmani së bashku me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), po bisedojnë për një vendim të përbashkët. Selmani ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Kosovës për ndeshjen e këtij muaji dhe vështirë se do të përfshihet në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes do të publikohet sot gjatë ditës. Sipas menaxherit, Selmani do të jetë pjesë e Kosovës prej grumbullimit të ardhshëm.
“Sa i përket Kosovës, ne kemi pasur kontakte me të gjithë dhe rregullat e UEFA-së, thonë se Astriti duhet të testohet edhe këtë fundjavë. Vendimin e marrin Astriti dhe FFK-ja së bashku, pasi për momentin janë në bisedime. Është vendim që të mos jetë në grumbullim për ndeshjet e marsit, por të jetë prezent për grumbullimin tjetër. Covid-19 po vendos”, përfundoi menaxheri.
Kosova të hënën e ardhshme do të grumbullohet për tri ndeshjet e këtij muaji, dy në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022” dhe një miqësore. Më 24 mars, Kosova në Prishtinë do të luajë miqësoren me Lituaninë kurse katër ditë më vonë e pret Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ciklin eliminator të Botërorit të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, ndeshjen e fundit të këtij muaji, do ta luajë më 31 tetor në udhëtim kundër Spanjës, në kuadër të Grupit B eliminator.