Senati i Shteteve të Bashkuara çoi përpara një mocion për të ndërprerë mbështetjen amerikane për një koalicion, të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton në Jemen.
Në një goditje ndaj presidentit Donald Trump, senatorët votuan me 63 vota për dhe 37 kundër.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, u kanë bërë thirrje senatorëve që të mos e mbështesin mocionin, duke thënë se do ta përkeqësojë situatën në Jemen.
Votimi vjen pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, banor i SHBA-së.
Kritikat ndaj Arabisë Saudite janë rritur prejse Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.
Votimi në Senat do të thotë se debati i mëtejshëm për mbështetjen e SHBA-së për Arabinë Saudite pritet të vazhdojë javën e ardhshme.
Trump ka thënë më herët se nuk duhet prishur aleanca me Arabinë Saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët është përfshirë në luftën në Jemen qysh në vitin 2015, në mbështetje të forcave qeveritare që luftojnë rebelët shiitë Huthi.
Koalicioni është akuzuar vazhdimisht nga grupet e të drejtave të njeriut për sulme të paligjshme mbi caqet civile dhe për bllokimin e ndihmave.
Riadi këmbëngul se bën gjithçka të mundur për të shmangur viktimat civile.