Senati amerikan miraton marrëveshjen për ekstradim mes Kosovës dhe SHBA-së

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 13:57 | Nga

Senati Amerikan në mbledhjen e 26 korrikut ka miratuar marrëveshjen për ekstradim mes Kosovës dhe ShBA-së. Marrëveshja në fjalë ishte nënshkruar më 29 mars të vitit 2016 në mes ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës dhe ambasadorit amerikan, Greg Delawie.

Si e tillë, kjo marrëveshje shfuqizon atë paraprake të nënshkruar mes SHBA-së dhe ish-Mbretërisë së Serbisë rreth 100 vjet më parë.

“Senati ka pranuar ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, të nënshkruar në Prishtinë më 29 mars të vitit 2016”, thuhet më tutje në procesverbalin e Kongresit Amerikan të datës 26 korrik 2018.

Atë kohë ish-presidentja Jahjaga kishte cilësuar se mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit kishte qenë pengesë ligjore për përmbylljen e suksesshme të rasteve.

Marrëveshja në fjalë garanton që personat që kanë kryer krime, dhe që paraqesin rrezik për qytetarët e të dy vendeve, do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme