Arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, senatori amerikan, Ron Johnson, e sheh si të domosdoshme. Kështu u shpreh ai pas takimit që e pati të martën me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Është gjithmonë kënaqësi të mirëpresësh presidentin Thaçi në Uashington DC. E respektoj kurajon e presidentit të Kosovës, sepse ai po mundohet të arrijë diçka shumë të vështirë dhe ajo është arritja e një zgjidhje paqësore mes Serbisë dhe Kosovës. Ne në Shtetet e Bashkuara jemi këtu që ta mbështesim atë”, ka shtuar senatori Johnson.
Sipas tij, presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq duhet t’iu lënë hapësirën që të arrijnë deri te marrëveshja, sepse ajo duhet të bëhet mes palëve, por në momentin që marrëveshja të arrihet të sigurojmë përkrahje që të sigurohemi se marrëveshja prodhon paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet për popullin e Kosovës dhe Serbisë që të ecin përpara”, ka theksuar ai, pas takimit me presidentin Thaçi.
Senatori Johnson ka thënë se një marrëveshje është e domosdoshme për të ardhme të ndritura të të dyja shteteve dhe ne jemi këtu që ta mbështesim dhe sërish kam respekt të thellë për presidentin Thaçi, për kurajon që po e tregon që të arrijë diçka kaq të vështirë.
Nga ana e tij, presidenti Thaçi falënderoi senatorin Johnson për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces. Ai shtoi se arritja e kësaj marrëveshje është e vështirë, por se gjithçka do të lehtësohet me ndihmën amerikane.
“ Është kënaqësi për mua që sot takova senatorin Johnson i cili shpesh ka vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë. Na ka inkurajuar vazhdimisht që të punojmë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohjen reciproke, anëtarësimin e Kosovës në OKB pas zëvendësimit të Rezolutës 1244, e di që nuk do të jetë një proces i lehtë, por me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të senatorit Johnson gjërat mund të arrihen, mund të konkretizohen, mund të arrihet marrëveshja paqësore historike”, ka theksuar Thaçi.