Serbët e dyshuar për krime lufte pritet të hetohen e gjykohen në mungesë

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 14:06 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit me 7 vota për dhe 2 abstenime ka miratuar projektligjin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për plotësim- ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Deputetët që abstenuan ishin Shkumbin Demaliaj nga AAK dhe Igor Simic nga Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se ky ndryshim mundëson akuzimin dhe gjykimin në mungesë të serbëve të dyshuar për krime luftë në Kosovë. Edhe pse tha se ky ndryshim është i vonuar, ajo e ka konsideruar shumë të domosdoshëm, ashtu siç e kanë vendet e BE-së.

“Ky projektligj ka për qëllim lejimin hetimin dhe gjykimin e të akuzuarve në mungesë. Është e rëndësishme që aplikohet vetëm pasi që shtirren të gjitha mundësitë që i parasheh Kodi i Procedurës Penale. Shumë më shumë janë dënuar shqiptar sesa serbë për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Shumë shtete të BE-së e kanë këtë ligj në fuqi, edhe në Ballkan. Jemi vonuar shumë në këtë drejtim”.

Haxhiu deklaroi se institucionet  e drejtësisë edhe pse kanë fakte nuk mund të veprojnë sepse Serbia nuk i dorëzon kriminelët.

Ajo theksoi se pas miratimit të këtij projektligjin duhet të këtë një projektligj tjetër që dokumenton të gjitha krimet e luftës. Ajo ka shtuar se është brengosës fakti që në Prokurorinë Speciale vetëm një prokuror merret me krimet e luftës.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se Projektligji është i vonuar, por duhet të procedohet sepse nuk bie ndesh me agjendën e Qeverisë.

“Krimet e luftës ndaj popullsisë cilivile kanë kërkuar trajtim më urgjent sepse dëshmitarët vdesin. Kjo aspak nuk bie ndesh me agjendën e Qeverisë. Asgjë s’ka të keqe që të procedojmë me këtë çështje”.

“Nëse për UÇK-ja është bërë Gjykatë Speciale, atëherë të trajtohen krimet serbe në Kosovë, të krijojmë mekanizëm që të marrin dënimin e merituar”.

Deputeti Korab Sejdiu vlerësoi se nisma për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale është e nevojshme.

“Kur të formohej grupi punues për këtë, komisioni të angazhoje dhe një ekspertë me përvojë në aspektet procedurale që të sigurohemi se nuk po bëjmë ndonjë shkelje”.

Hajdar Beqa nga PDK-ja, ka thënë se Qeveria ka deklaruar se drafti i këtij projektligji do të vijë deri në fund të nëntorit.

“Në mendimin zyrtar të Qeverisë thuhet se iniciativa e këtij projektligji është e panevojshme në këtë fazë thonë ata. Me kanë thënë me shkrim se deri në fund të nëntorit Qeveria e bien në Kuvend Kodin e Procedurës. Nëse Qeveria nuk e bien menjëherë draftin vazhdojmë më ketë iniciativë të VV-së”.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se përkrah iniciativën, por është shprehur kundër formimit të një Gjykatë Speciale për Kosovën, ndërsa të dyshuarit serbë për krime lufte duhet të dënohen në mungesë nga gjykatat.

“E përkrahi iniciativën, por nuk e di sa është e modifikuar. Për qytetarët e Kosovës është krijuar një Gjykatë Speciale, ndërsa për kriminelët serbë të gjykohen nga gjykatat e Kosovës dhe të dënohen në mungese, jam kundër këtij propozimi”.

Edhe deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë nismë.

“Është një projektligj shumë më rëndësi, po flas edhe nga ana personale për proceset gjyqësore që kam marrë pjesë. Shpresoj që të përkrahet”.

 

Të ngjashme