Serbët në barrikada për të tetën ditë, situata në veri është e qetë

Prishtinë | 17 Dhj 2022 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Serbët në veri të Kosovës prej tetë ditësh po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Barrikada janë vendosur në Rudar, Srbovc, Sllatinë dhe Leshko, në rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë. Në Varagë është vendosur një barrikadë nga drejtimi që të çon nga Mitrovica Jugore në Ribariq.

Pavarësisht motit të keq, reshjeve të shiut dhe borës herë pas here, qytetarët natën e kaluar e kanë kaluar në barrikada, raportoi KO.

Të premten KFOR-i konfirmoi se ka pranuar kërkesën e Qeverisë së Serbisë për kthimin e deri në një mijë pjesëtarëve të forcave serbe në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke bërë me dije se aktualisht është duke e shqyrtuar atë.

KFOR-i po ashtu ka deklaruar se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës.

“Që nga tetori, ne kemi rritur praninë tonë, duke përfshirë trupa shtesë dhe patrullime në veri të Kosovës këtë javë. Ne presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të garantohet siguria dhe siguria e të gjitha komunitetet”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.

Të ngjashme