Serbët lokalë në veri të Mitrovicës kanë protestuar të hënën për të kundërshtuar Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila ndalon përdorimin e dinarit, raporton Ekonomia Online.
Protesta u organizua nga shoqata e pensionistëve, sindikatat e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, kurse merrnin pjesë dhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në njoftimin për organizimin e protestës theksohej se “lëvizjet e njëanshme” nga Qeveria e Kosovës kanë për qëllim “dëbimin e popullatës serbe nga Kosova”.
“Evropë hapi sytë”, “Pa ndihma sociale s’do të kemi as bukë për të ngrënë”, “Pensionin që e kam fituar tërë jetën, nuk e jap për Kurtin” e “Rezoluta 1244, SHBA na ndihmo”, ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar.
Dushanka Gjoroviq, e cila foli në emër të pensionistëve, i ka bërë thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe ta anulojë vendimin.
“Po na merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha Gjoroviq.
“Po i drejtohemi krejt botës që ta dëgjojë apelin tonë. Për ne është shumë me rëndësi që të ndërpritet ky vendim që ne të mund të marrim paga në banka dhe posta dhe të mund të jetojmë si të gjitha shtetet normale”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se është gënjeshtër që serbët mund të hapin llogari në bankat në Kosovë, sepse sipas saj, ato “nuk pranojnë fondin pensional serb”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.
Ndërsa, Dragana Milikovic e cila u prezantua si profesoreshë, vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës e ka quajtur diskriminues dhe që sipas saj, ndikon direkt në mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Shtrohet pyetja se si do të blenë prindërit bukë për ushqim, si do të marrin bursa studentët, si do t’u paguhet shkollimi. Vendimi i BQK-së që thirret në të drejtë kushtetuese, a është kushtetuta ma e fortë se vetë vendimet dhe marrëveshjet që janë bërë më herët mes shteteve. Albin Kurti ka marrë vendim të njëanshëm pa bërë marrëveshje”, ka thënë ajo.
Në emër të punëtorëve shëndetësorë foli Dragisha Milloviq nga Qendra Spitalore Klinike, përndryshe nënkryetar i Listës Serbe.
“Ky vendim drejtpërdrejtë shënjestron popullin tonë serb dhe kërcënon mbijetesën dhe qëndrimin e tyre nëse mbetet në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zhbërjen e institucioneve serbe në këto zona”, tha Milloviq.
Milloviq ftoi përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it që të ndalojnë vendimin e BQK-së dhe ai të shfuqizohet, duke shtuar se “[kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk ka të drejtë të ndalojë dinarin”.
“Serbia ka të drejtë të financojë qytetarët e saj, për çka është rënë dakord me marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 dhe 2015, dhe aty thuhet se financohen shkollat, kopshtet, spitalet, pushtetet lokale, të cilat në fakt janë themelet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, për fat të keq, ai asociacion që është dashur të formohet 11 vjet më parë, shohim se Prishtina ende nuk dëshiron ta formojë, dhe Brukseli, që është garantuesi i zbatimit, hesht”, theksoi Milloviq.
Protesta është mbyllur pas fjalimeve të përfaqësuesve serbë.
Policia e Kosovës, në njoftim për medie, tha se në protestë ishin rreth 1800 pjesëmarrës, dhe një numër prej tyre u sollën me autobusë nga komuna të tjera të Kosovës, por edhe nga Serbia.
“Në protestë morën pjesë rreth 1800 persona, përfshirë edhe ata nga rajoni. Njerëz të ndryshëm erdhën në formë të organizuar – me autobus dhe makinë. Ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar pa asnjë incident”, njoftoi PK.
Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake.
Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.
Pas kritikave, Qeveria e Kosovës dhe BQK-ja kanë njoftuar se do të ketë një fazë tranzitore, jo më e gjatë se tre muaj, për këtë vendim dhe se do të ketë fushata informuese.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë që serbët në Kosovë të hapin llogari në ndonjërën prej bankave komerciale të licencuara, madje ka mundësuar që kjo të bëhet pa pagesë.