Serbët thonë se ShBA-ja s’po bën presion sa duhet për heqjen e taksës

Prishtinë | 03 Mar 2019 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun, ka kërkuar që të qartësohet pozicioni i ShBA-ve ndaj Kosovës.

Drecun ka thënë se pozita e Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për Kosovën është e qartë por është e nevojshme që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta sqarojnë pozicionin e tyre.

Ai ka theksuar se pozicioni i ShBA-ve është vendimtar – nëse ata duan një zgjidhje kompromisi ose do vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Beogradit për ta njohur pavarësinë e Kosovës, përcjell lajmi.net.

“Në shikim të parë gjithçka është e qartë por konfuzioni publik po krijohet dhe po ushtrohet presion ndaj qeverisë në Beograd, ndërsa shqiptarët luajnë një lojë politike në linjë Haradinaj-Thaçi me qëllim të vonimit të dialogut”, ka thënë Drecun.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kohë që po kërcënon.

“Që nga krijimi i Ushtrisë së Kosovës kërcënimet po vazhdojnë si dhe përpjekjet për të vendosur kontroll në Trepçë dhe Gazivodë, po ashtu edhe në tërë veriun e Kosovës. Këtë gjë populli serb nuk do ta pranojë. Prishtina do të jetë në gjendje për t’i realizuar këto qëllime vetëm me dhunë dhe spastrim etnik, ose dëbimin e popullatës serbe në veri”, ka shtuar ai.

Drecun ka theksuar se këto qëllime duhet t’i parandalojë KFOR-i.

“Nëse dialogu do vazhdojë atëherë duhet të hiqet taksa doganore e vendosur nga Prishtina. Presioni i SHBA-së për këtë çështje nuk po mjafton. Presionet nuk janë të forta për këtë arsye kërkesa e tyre nuk po zbatohet”, ka përfunduar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme