Në gjykimin për krime lufte ndaj popullsisë civile për të cilat po akuzohet Goran Stanishiq, dëshmitarët kanë deklaruar se në vitin 1999, bashkëfshatarët serbë në fshatin Sllovi të veshur në uniforma paramilitare kanë vrarë rreth 45 persona dhe kanë djegur shtëpi.
Në seancën e së hënës, dëshmitari B.B, vëllai i F.B., i cili kishte mbetur i vrarë gjatë sulmeve paramilitare, ka thënë se në mëngjesin e 15 prillit të vitit 1999, paramilitarët serbë, banorë të fshatit Sllovi kanë rrethuar fshatin me tenka duke i vendosur përballë shtëpive të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk kanë leju me dal njëherë prej fshatit e pastaj prej orës 2 e përpjetë, kanë fillu me i mbytë njerëzit e me i djegë shtëpitë. Ne si familje jemi largu, kemi shku në vendlindje të babës atje në bjeshkë në Vërbicë”, ka deklaruar dëshmitari B.B.
Sipas tij, në ora 18:00, janë kthyer tek shtëpia në fshatin Sllovi me vëllain e tij F.B, dëshmitarin F.G dhe kushëririn R.B.
“F. ka qenë në Vërbicë, edhe R. i ka thon e kam babën smut, s’kom mujt me tërheqë prej shpisë, a mundesh me ardhe me m’ndihmu me marr. Ata janë nisë e jemi taku në livadhe se unë kam qenë në një vend tjetër e jom nisë me shku në drejtim të fshatit”, ka shtuar dëshmitari B.B.
Më pas, ai ka thënë se: “Kur jemi kthy, secili kemi shku nëpër shpijat tona për me marr miell a najsen me veti. Unë shkova me vëllain F., R.B o shku në shtëpi të vet e mandej jemi bashku krejt në oborr të axhës. Diku në ora 19-19:30, kemi qenë të ulur tu hongër bukë e më pas është dëgjuar një ushtimë e veturës ‘Lada Samara’, që është ndalur te sokaku jonë”.
Me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, dëshmitari e ka vizatuar një skicë të vendit të ngjarjes që i është bashkëngjitur procesverbalit.
Dëshmitari ka përshkruar ngjarjen që pas ndaljes së veturës, ka zbritur Gorani i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasagjerit përpara dhe 4 persona të tjerë, ndër ta, ka përmendur emrat Duro dhe Sasha të cilët sipas tij, kishin zbritur më pas.
B.B ka deklaruar se i akuzuari Goran Stanishiq kishte pasur të veshur jelekun e paramilitarit dhe që më pas të gjithë kishin filluar të gjuajnë me armë në drejtim të tyre.
“Jemi qu në këmbë dhe kemi fillu me ikë, unë kam ikë tjetër ka, vëllai edhe R. kanë ikur drejtë në drejtim ka shpijat tona, ku F. ka ra tu ikë në atë drejtim. Nuk e kam pa kur është plagosë, ai nashta edhe më herët është plagosë por deri qaty ka mujt me ecë. Mas 15 minutave jam kthy e kam kërku në çdo vend, kur jam afru afër o kon i vdekur”, ka shtuar në dëshminë e tij, B.B.
Në pyetjen e prokurores speciale, Drita Hajdari, i njëjti është shprehur se pas luftës, mjekët ndërkombëtarë i kishin bërë autopsinë vëllait të tij, i cili më pas ishte varrosur në fshatin Sllovi me të gjithë të vrarët e tjerë të asaj kohe.
Sipas deklarimit të B.B, ishte bërë një gabim në raportin e autopsisë lidhur me mbiemrin e të ndjerit F.B, por që dëshmitari tha se nuk ka person me emrin e njëjtë si të vëllait të tij në mesin e 45 të vrarëve në Sllovi.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq ka ballafaquar dëshmitarin B.B me deklaratat e tij, të dhëna në vitin 2005 para hetuesve të UNMIK-ut.
Avokati Pantoviq ka thënë se në deklaratat e mëhershme të tij, dëshmitari kishte deklaruar se nga vetura “Lada Samara”, kishin dal Duro, Sasha dhe Tomqi, mirëpo jo Gorani.
Në këto pyetje, dëshmitari B.B ka thënë se hetuesit e UNMIK-ut kanë mundur që të mos e kuptojnë saktësisht, mirëpo sipas tij, ai ju ka treguar se në ngjarjen e 15 prillit 1999, nga ajo veturë kishte dal Gorani, djali i Tomqit.
Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe babai i F.B, dëshmitari R.B, i cili ka thënë se atë ditë fshatarët kishin filluar të ikin në masë të madhe.
“Djali i madh ju ka bashkangjitë masës me gru e me fëmijë, e unë me gru kom dal tjetër ka kodrave, policia e ka kthy masën teposhtë, e na ram me njëfarë lugine poshtë, nuk u kthym po vazhdum. Tani policia i ka kthy masën poshtë edhe e ka nxjerrë kon ka dashtë prej kerrit edhe i kanë pushkatu”, ka thënë dëshmitari R.B.
Ai ka deklaruar se pas 5 ditëve kishte shkuar për të marr trupit e djalit të tij, për shkak të pamundësisë për të shkuar më herët nga rrethimi i fshatit nga paramilitarët serbë.
Tutje, mbrojtja e të akuzuarit, avokati Pantoviq nuk ka pasur pyetje për dëshmitarin R.B me arsyetimin se nuk është dëshmitar direkt i vrasjes dhe nuk ka njohuri direkte për vrasjen e përshkruar në pikën 2 të aktakuzës.
Ndryshe, seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 5, 12 dhe 13 nëntor 2020 duke filluar nga ora 9:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.
Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë, ku më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.
Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.
Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.
Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.