Linja e interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë vazhdon të jetë e bllokuar që prej përfundimit të ndërtimit saj në fund të qershorit të këtij viti.
Kjo ka ndodhur për shkak se Serbia vazhdon të interferojë në sistemin energjetik të Kosovës, duke përfshirë edhe linjën e re 400kV, në të cilën janë investuar miliona euro nga të dyja vendet përmes një kredie gjermane, shkruan sot Koha Ditore.
Por me gjithë lobimet dhe përpjekjet e Qeverisë shqiptare, asaj të Kosovës, por edhe të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, linja vazhdon të jetë e bllokuar.
Tashmë, burimet në Tiranë thonë se shpresa e vetme për zhbllokimin e saj është Gjermania si investituse dhe kancelarja Angela Merkel. Ministri i Energjisë e Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, shprehu sigurinë se problemi i linjës së interkoneksionit me Kosovën do të zgjidhet pas vizitës së kryeministrit Edi Rama, në Berlin, më 28 nëntor dhe takimit me kancelaren Angela Merkel.