Një gykatë speciale për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në Beograd dënoi me burgim shtatë të akuzuar për dërgim të parave për grupet terroriste Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe për organizimin e luftëtarëve për t’iu bashkuar luftës në Siri.
Të shtatit, që të gjithë myslimanë, janë dënuar me burgim midis shtatë vjet e gjysmë deri në 11, bazuar në një ligj të vitit 2014 në Serbi, që u ndalon shtetasve serbë të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në konfliktet e huaja.
Tre nga të pandehurit mbeten në arrati dhe janë dënuar në mungesë, ndërsa një prej tyre raportohet se është vrarë në Siri, por kjo nuk është konfirmuar.
Vendimi u dha në shkallë të parë dhe mund të apelohet.
Grupi ka ndihmuar së paku 24 njerëz nga Serbia dhe Evropa që t’i bashkohen Shtetit Islamik, i ka trajnuar ata dhe po ashtu ka mbledhur fonde për terroristët.
Disa serbë janë dënuar me burg në bazë të ligjit të njëjtë, për shkak të pjesëmarrjes në një mënyrë ose tjetër në konfliktin në Ukrainë, në anën e separatistëve pro-rusë.